Garda Revolucionare e Iranit njoftoi sot se ka qëlluar raketa drejt Izraelit, Kuvajtit, Bahreinit dhe Jordanisë.
Sipas televizionit shtetëror (IRIB), Garda shënjestroi disa objektiva në Izraelin verior dhe qendror, përfshirë Tel Avivin, si dhe dy baza ushtarake të përdorura nga Shtetet e Bashkuara në Kuvajt, një tjetër në Bahrein dhe një tjetër në Jordani, duke përdorur raketa dhe dronë.
Sipas mediave izraelite, Irani ka lëshuar raketa drejt Izraelit jugor, duke aktivizuar sirenat në rajonet e Negevit, Aravas dhe Detit të Vdekur.
Agjencia e lajmeve YNet tha se breshëria u interceptua dhe se nuk kishte raportime për viktima.
Një rezervuar karburanti u godit dhe shkaktoi një shpërthim të madh në Kuvajt. Autoriteti i aviacionit civil ka përmendur një sulm në aeroport, duke shtuar se nuk ka pasur dëme materiale apo viktima, por një ekip zjarrfikësish po i përgjigjej deri në orët e para të mëngjesit të sotëm dhe vlerësimet janë ende në proces. Kuvajti tha se gjashtë dronë u kapën nga Irani.
Një predhë ka goditur ambientet e termocentralit bërthamor të Bushehrit sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, e cila u informua për sulmin nga Irani. Nuk pati dëme në objekt apo në stafin e tij dhe kushtet në termocentral mbeten normale, tha IAEA në X.
Ndërkohë forcat izraelite po përparojnë më tej në Libanin jugor, pasi kanë hartuar plane për të pushtuar rajonin, ndërsa numri i të vdekurve nga dita e kaluar është rritur në 33.
© SYRI.net



