Irani kërcënon me goditje “në zemrën e Tel-Avivit” si reagim ndaj ndonjë sulmi të ShBA-së

Zyrtarët iranianë patën paralajmërime të qarta të mërkurën kundër ndonjë sulmi të Shteteve të Bashkuara ndaj vendit të tyre. Një këshilltar i lartë i liderit suprem të Iranit kërcënoi se Teherani do ta sulmonte Izraelin në rast të tillë me një hakmarrje “të pashembullt”, përfshirë “zemrën e Tel-Avivit”.

Në shkrimet që i publikoi në rrjetin X në gjuhët perse e hebreje, Ali Shamkhani, sekretar i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, tha: “Një sulm i kufizuar [amerikan] është iluzion. Çfarëdo veprimi ushtarak nga Amerika, i çfarëdo lloji dhe në çfarëdo niveli, do të konsiderohet fillimi i luftës dhe kundërpërgjigjja do të jetë e menjëhershme, gjithëpërfshirëse dhe e pashembullt, e drejtuar drejt agresorit, në zemrën e Tel-Avivit, dhe ndaj të gjithë atyre që e mbështesin agresorin.”

Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, gjithashtu paralajmëroi se forcat iraniane do të kundërpërgjigjen me forcë ndaj çfarëdo operacioni të ushtrisë amerikane, por nuk përjashtoi një marrëveshje për programin bërthamor të Iranit, shkruan gazeta “The Times of Israel”.

“Forcat tona të Armatosura trime janë të përgatitura – me gishtat e tyre në këmbëz – që menjëherë dhe në mënyrë të fuqishme t’i kundërpërgjigjen çfarëdo agresioni kundër tokës, ajrit dhe detit tonë të dashur” – shkroi ai në rrjetin X.

“Në të njëjtën kohë, Irani gjithmonë ka mirëpritur një marrëveshje bërthamore që është fitimprurëse në mënyrë reciproke dhe të drejtë – e lirë nga detyrimi, kërcënimet dhe frikësimi – e cila i garanton të drejtat e Iranit për teknologji bërthamore paqësore dhe garanton se nuk do të ketë armë bërthamore” – shtoi kryediplomati iranian.

Duke reaguar ndaj një shkrimi të presidentit amerikan, Donald Trump, rreth përgatitjeve të forcave të ShBA-së për një sulm të mundshëm, misioni i Iranit në Kombet e Bashkuara në rrjetin X shkroi: “Irani qëndron i gatshëm për dialog të mbështetur në respektin dhe interesat e ndërsjella – por nëse shtyhet, do ta mbrojë veten dhe do të kundërpërgjigjet si kurrë më parë!”

Një grup sulmues i forcave detare amerikane, i udhëhequr nga aeroplanmbajtësja “USS Abraham Lincoln”, është dislokuar në ujërat e Lindjes së Mesme.

Trumpi ka paralajmëruar se “koha po harxhohet” për arritjen e një marrëveshjeje bërthamore me Iranin dhe ka thënë se një sulm tjetër do të ishte “shumë më i keq” se ai i qershorit të vitit të kaluar ndaj qendrave bërthamore iraniane./Nacionale