Irani ka shumë më tepër uranium sesa lejon marrëveshja

Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Republika Islamike e Iranit ka pothuajse tetë herë më shumë uranium të pasuruar sesa lejohet me marrëveshjen bërthamore të 2015-ës.

Në vend të sasisë së lejueshme prej 202,8 kilogramësh, Irani ka që nga 20 maji 1.571,6 kilogramë uranium të pasuruar. Kjo u konstatua nga inspektorët e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) thuhet në raportin e fundit mbi aktivitetet bërthamore të Republikës Islamike të Iranit.Përveç kësaj udhëheqja e Teheranit vazhdon t’u refuzojë inspektorëve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Energjinë Bërthamorë që të inspektojnë dy impiante që janë pjesë e misionit të tyre të inspektimit, thuhet në raport. Kjo përbën shkak për “një shqetësim serioz”. Inspektorët kanë kërkuar katër muaj me radhë leje për inspektimin e impianteve në fjalë, por pa sukses, raporton DW.