Jo vetëm snajperë në çatitë e ndërtesave, mitralozë në rrugë dhe ndjekje brutale të protestuesve në hyrjet e pallateve. Mes datave 6–12 janar, në Iran është zhvilluar një betejë e vërtetë edhe brenda spitaleve, ku forcat e sigurisë kanë hyrë me dhunë për të kapur të plagosurit nga protestat.
Sipas dëshmive, agjentët kanë kontrolluar repartet një nga një, ndërsa mjekët përpiqeshin të përballonin fluksin e pacientëve dhe familjarët kërkonin trupat e të afërmve mes kufomave të paidentifikuara, të grumbulluara në ambiente spitalore.
Një video e publikuar më 9 janar tregoi rreth 12 trupa të pajetë, të mbështjellë me qese plastike, në hyrjen e spitalit Al Ghadir, në lindje të Teheranit. Një i afërm i një infermieri që punon në këtë strukturë ka konfirmuar për mediat sulmin e forcave të sigurisë.
“Sapo hynë, morën kontrollin e reparteve dhe terrorizuan stafin që të mos fliste. Refuzonin t’ua dorëzonin trupat familjarëve dhe më pas i grumbulluan në hyrje si paralajmërim. Kërcënonin se kush fliste do të varej për këmbësh”, ka treguar burimi.
Sipas dëshmive, shumë të plagosur janë marrë pa u trajtuar ose menjëherë pas operacioneve. Disa janë nxjerrë nga shtretërit me kateterët ende të lidhur.
“Disa i kanë nxjerrë jashtë dhe i kanë qëlluar”, thuhet në rrëfim.
Një punonjës shëndetësor nga Mashhadi ka deklaruar për Amnesty International se natën e 9 janarit 150 trupa të rinjsh protestues janë dërguar në një spital dhe më pas në varrezat Behesht Reza, pa u identifikuar.
Që në ditët e para të protestave paqësore, spitalet u kthyen në vende të rrezikshme për demonstruesit. Në Malekshahi, në provincën Ilam, një nga qytetet e para që doli në protesta, ndërhyrja e policisë në spitalin Imam Khomeini, e dokumentuar edhe me video, u bë një pikë kthese që shtyu mijëra persona t’i bashkoheshin protestave.
Para se autoritetet të bllokonin internetin, gazeta iraniane Hammihan kishte dërguar në terren gazetaren Elaheh Mohammadi, e cila më vonë, bashkë me Niloufar Hamedi, kaloi mbi një vit në burg për raportimin e rastit të Mahsa Amini. Në shkrimet e saj ajo citonte dëshmi tronditëse.
“Një i ri nga Malekshahi tha se kishte parë me sytë e tij sesi agjentët morën një të plagosur, i qëlluar në kyçin e këmbës, pa i dhënë asnjë ndihmë mjekësore”, tha ajo.
I njëjti dëshmitar tregonte se kishte nxjerrë fshehurazi një mik të plagosur për ta shpëtuar nga arrestimi.
“Agjentët hynin në spital për të marrë trupat dhe të plagosurit, ndaj e nxorëm me shumë vështirësi që të mos e kapnin”.
Ngjarjet e janarit konfirmojnë se gjatë protestave në Iran, edhe spitalet, vende që duhej të ishin neutrale, u kthyen në instrument shtypjeje dhe frike.
© SYRI.net



