Shtypja e protestave në Iran është përshkallëzuar ndjeshëm, ndërsa numri i viktimave ka arritur në 466 persona, sipas të dhënave të publikuara nga organizata për të drejtat e njeriut HRANA, me seli në Shtetet e Bashkuara.
Protestat shpërthyen më 28 dhjetor, fillimisht si reagim ndaj rritjes së fortë të çmimeve dhe vështirësive ekonomike, por shumë shpejt u shndërruan në një sfidë të hapur ndaj udhëheqjes së vendit, duke përfaqësuar një nga trazirat më serioze që nga Revolucioni Islamik.
Autoritetet iraniane kanë akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin për nxitjen e trazirave. Shefi i policisë iraniane, Ahmad-Reza Radan, deklaroi se forcat e sigurisë kanë intensifikuar operacionet kundër asaj që ai i quajti “elementë destabilizues”, duke paralajmëruar masa edhe më të ashpra për rivendosjen e rendit.
Ndërkohë, tensionet rajonale po rriten. Kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad-Bagher Ghalibaf, paralajmëroi se Teherani do të sulmojë bazat ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme nëse SHBA ndërmerr e para goditje ndaj objektivave iraniane. Paralajmërimi vjen në një kohë kur raportimet tregojnë se administrata e presidentit amerikan Donald Trump po shqyrton opsione për sulme të mundshme ndaj instalimeve ushtarake iraniane.
Ghalibaf kërcënoi gjithashtu se Irani mund të synojë rrugët detare strategjike në rajon, si dhe Izraelin. Shtetet e Bashkuara disponojnë baza ajrore dhe detare në Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrein dhe Katar. Kujtohet se Irani kishte goditur bazën ajrore Al Udeid në Katar në qershor, si kundërpërgjigje ndaj sulmeve amerikane mbi objekte bërthamore iraniane.
Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar disa herë për ndërhyrje në rast të shtypjes së dhunshme të protestave në Iran, ndërsa “Wall Street Journal” raporton se zyrtarë amerikanë po analizojnë skenarë për goditje ndaj objektivave ushtarake iraniane, pa sinjalizuar ende një operacion të menjëhershëm ushtarak.
© SYRI.net




