Intervistë me ambasadoren gjermane, Anke Holstajn: Jam e sigurt se Bullgaria do ta mbështesë afrimin e Maqedonisë së Veriu me BE-në

“Vendimi për fillimin e negociatave për anëtarësim në muajin mars u votua unanimisht, ndërkaq edhe Bullgaria mbanë përgjegjësi për fjalën e saj. Ajo madje gjithmonë ishte mbështetëse e madhe e përafrimit të rajonit me BE-në. Kjo është edhe në interes të Bullgarisë, të mos e bllokojë rrugën e mëtejshme të Maqedonisë së Veriut. Gjendja e brendshme politike në Bullgari aktualisht është megjithatë e komplikuar. Por prapëseprapë: jam e sigurt se Bullgaria në fund të fundit do ta mbështesë përafrimin e Maqedonisë së Veriu me BE-në, ashtu siç ka vepruar edhe në të kaluarën”, thekson mes tjerash ambasadorja Holstajn

Intervistoi: Isen Saliu

Maqedonia e Veriut nuk është vend i panjohur për ambasadoren e re gjermane në Shkup, Anke Holstajn edhe pse mandatin e ka filluar tani shpejt. Ajo ka pasur rast që të vizitojë Shkupin, Ohrin e Prespën edhe gjatë kohës sa ka shërbyer në ambasadën gjermane në Tiranë. Kurse fillimi i mandatit të saj tek ne përputhet me kryesimin gjerman me Këshillin e BE-së. Në intervistën për Gazetën Lajm, ambasadorja Holstajn shprehet optimiste se gjatë kryesimit gjerman do të fillojnë negociatat për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE, sipas metodologjisë së re, e poashtu shprehet e bindur që Bullgaria mban përgjegjësi për fjalën e saj, si vend që vazhdimisht është angazhuar për afrim të rajonit tonë me BE-në.
Ambasadorja Holstajn në këtë intervistë flet edhe për tema tjera, siç është bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve, por edhe për bashkëpunimin në sferat tjera. Poashtu flet edhe për zhvillimet në rajon, për arritjet në kuadër të Procesit të Berlinit si dhe pritjet në kuadër të këtij procesi në të ardhmen, kurse për ndryshimin eventual të kufijve vlerëson se do të gjeneronte “jostabilitet të rrezikshëm”.

Lajm: Zonja Holstajn, sapo keni filluar mandatin në Maqedoninë e Veriut, në një kohë mjaft turbulente për vendin tonë, si në aspektin politik, poashtu edhe shëndetësor për shkak të pandemisë Covid 19. Çka ju bëri më së tepërmi përshtypje në këtë fillim të mandatit tuaj?
Holstajn:
Maqedoninë e Veriut pak e kam njohur edhe nga qëndrimi im në Ambasadën gjermane në Tiranë (2014-2018). Kemi qenë shpesh në liqenin e Ohrit, kemi shëtitur midis liqenit të Ohrit dhe Prespës, e kemi vizituar edhe Shkupin. Krahas bukurive natyrore, në veçanti më kanë impresionuar natyra miqësore dhe çiltërsia e njerëzve. Gëzohem që tani kam mundësinë të njoh Maqedoninë e Veriut dhe njerëzit e saj. Kam nderin që vendin tim ta përfaqësoj këtu dhe vendet dhe popujt tanë t’i afroj edhe më shumë pranë njëri tjetrit.
Lajm: Pas gjashtë muaj qeveri teknike, Maqedonia e Veriut tashmë ka një qeveri të rregullt, por me një shumicë të ngushtë. A ju duken të bazuara vlerësimet e opinionistëve se qeveria me një shumicë të tillë do ta ketë vështirë të zbatojë reformat e nevojshme gjatë procesit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian?
Holstajn: Përafrimi i mëtejshëm në BE është në interes të gjithë vendit dhe njerëzve të tij. Për hir të ardhmërisë së vendit, dallimet politike dhe partiake do duhej të kalojnë në sfond, për t’i lënë hapësirë bashkëpunimit konstruktiv ndërmjet qeverisë dhe opozitës, së paku në çështjet e BE-së. Në këtë mënyrë, reformat mund të jenë edhe të suksesshme.

“Bullgaria mban përgjegjësi për fjalën e saj”

Lajm: A e ndani ju optimizmin e politikanëve tanë se negociatat e Maqedonisë së Veriut do të fillojnë deri në fund të këtij viti? Dyshimet te një pjesë e opinionit janë për shkak se tashmë disa herë është premtuar se negociatat do të fillojnë herë “në fillim, e herë deri në fund të vitit”, por kjo ende nuk ka ndodhur?
Holstajn:
Fillimi i negociatave për anëtarësim këtë vit, është një synim që bashkon Maqedoninë e Veriut dhe kryesimin gjerman me Këshillin e BE-së. Në Bruksel aktualisht po diskutohet lidhur me të ashtuquajturën kornizë negociuese, qëndrimin e BE-së për bisedimet anëtarësuese, kornizë e cila e mban parasysh metodologjinë e re. Sapo të arrihet unifikim në Bruksel, mund të caktohet një datë konkrete; kjo do duhej të ndodhte më së voni në muajin dhjetor.
Gjatë vitit nuk bëhej fjalë për termine të ndryshme, madje Këshilli dritë jeshile për fillimin e negociatave për anëtarësim dha fatkeqësisht jo më parë se në mars. Po të varej nga ne, një hap i tillë do të merrej shumë më herët. Nëse merren parasysh të arriturat e Maqedonisë së Veriut, ishte vërtetë kohë e fundit për vendimin në fjalë.

Lajm: A mendoni se çështjet rreth historisë me Bullgarinë mund të jenë pengesë në këtë proces, apo jeni optimiste se me Marrëveshjen për fqinjësi të mirë është krijuar bazë për tejkalim të shpejtë të këtyre dallimeve?
Holstajn:
Padyshim që Marrëveshja paraqet çështje thelbësore e cila do duhej të ishte bazë e mirë, me qëllim që edhe Bullgaria ta miratojë kornizën negociuese. Vendimi për fillimin e negociatave për anëtarësim në muajin mars u votua unanimisht, ndërkaq edhe Bullgaria mbanë përgjegjësi për fjalën e saj. Ajo madje gjithmonë ishte mbështetëse e madhe e përafrimit të rajonit me BE-në. Kjo është edhe në interes të Bullgarisë, të mos e bllokojë rrugën e mëtejshme të Maqedonisë së Veriut. Gjendja e brendshme politike në Bullgari aktualisht është megjithatë e komplikuar. Por prapëseprapë: jam e sigurt se Bullgaria në fund të fundit do ta mbështesë përafrimin e Maqedonisë së Veriu me BE-në, ashtu siç ka vepruar edhe në të kaluarën.

Lajm: Sa është vështirë për një diplomat/e të punojë në rreth si Ballkani, ku kufiri mes krimit dhe politikës, mes ilegales dhe legales, është aq i hollë, saqë një nga paraardhëset e Juaja, ish ambasadorja Gudrun Steinacker, me një rast do të vlerësojë se në këtë pjesë të Evropës sundojnë qeveri kleptokrate?
Holstajn:
Mesa jam në dijeni, kolegeja Steinacker atë fjali e ka thënë kur ajo tashmë ishte e pensionuar. Kur shkova në Tiranë në vitin 2014, as që mund të mendoheshte për reformën gjithëpërfshirëse në drejtësi, përfshirë këtu edhe vetingun. Unë pyeta në Ministrinë e Punëve të Jashtme, vallë si duhet të sillem me atë konglomerat ngjarjesh, nganjëherë të komplikuara, në politikë dhe ekonomi. Përgjigjja ishte afërsisht kështu: Ti je një diplomate me përvojë dhe e njeh mirë rajonin dhe njerëzit, shpejtë do ta kuptosh se ku qëndrojnë kufijtë. Mendoj se është e rëndësishme, të krijohen kontakte të besueshme, për të parë se kë mund, gjegjësisht, kë duhet mbështetur, me qëllim që procesi ‘drejtësi për të gjithë’ të vazhdojë të ecë përpara.

Lajm: Republika Federale e Gjermanisë mbetet partneri kryesor ekonomik i Maqedonisë së Veriut. A është arritur maksimumi i mundshëm i këtyre marrëdhënieve, apo ka hapësirë për zhvillim të mëtejmë? Cila janë shkaqet (nëse ekzistojnë) që ky bashkëpunim nuk është edhe më i lartë?
Holstajn:
Nuk dyshoj fare se marrëdhëniet tona shumë të mira ekonomike edhe më tutje do të intensifikohen. Edhe aktualisht ka kërkesa të firmave, të cilat shprehin interesim për Maqedoninë e Veriut. Disa prej tyre, që tashmë prodhojnë këtu, dëshirojnë t’i zgjerojnë aktivitetet e tyre. Është me rëndësi që investitorët gjerman këtu të gjejnë edhe punëtorë të mjaftueshëm të kualifikuar. Për këtë qëllim është e rëndësishme mundësia e arsimit profesional.

Lajm: Si zhvillohet bashkëpunimi mes dy vendeve në sfera tjera-kulturë, arsim, shkencë, shëndetësi, sport, etj. Çka mund të veçohet në këtë kontekst?
Holstajn:
Nëse do doja të jap një përgjigje të plotë, kjo do të mbushte më shumë faqe! Mbase më mirë disa përmbledhje:
Marrëveshja dypalëshe për kulturë, qysh nga viti 1997;
Festivali i Filmit të Ri Gjerman, çdo vit me radhë në 10 qytete në vend (2019 për të 14-tën herë); këtë vit për shkak të virusit korona, në ambient të hapur – Java e Filmit në tre qytete (Shkup, Prilep, Strugë);
Partneritet shumëvjeçar midis Shkupit dhe Dresdenit, gjegjësisht Nirnbergut;
Bursa Ndërkombëtare Parlamentare (IPS): Bundestagu Gjerman, së bashku me tre universitete të Berlinit, njerëzve të rinj u ofrojnë mundësinë, t’i njohin proceset vendimmarrëse politike dhe të fitojnë përvojë në fushën e aktiviteteve parlamentare. Programi “IPS” gjithsej zgjat pesë muaj. Thelbi i bursës qëndron në veprimtarinë 15-javëshe tek një deputet i Bundestagut. Të drejtë aplikimi kanë studente dhe studentë të diplomuar, me njohuri shumë të mira të gjuhës gjermane.
Bursa për trajnerë dhe arsimtarë të fizkulturës (konkursi aktual ende është i hapur)ç Kurse të trajnerëve gjerman, në vendin e ngjarjes (Gjermani);
Instituti Gëte qysh nga viti 2007, plotësisht i zgjeruar qysh nga 2016 – organizon kurse gjuhe, si edhe kualifikim të mëtejshëm për arsimtarë të gjuhës gjermane; provime të gjuhës gjermane; mbështet 12 shkolla, të cilat zhvillojnë mësim të gjuhës gjermane që nga klasa e parë; bashkëpunim me 4 shoqata kulturore në vend; programe dhe manifestime të ndryshme kulturore;
DAAD (Shërbimi Gjerman për Shkëmbim Akademik): ofron programe studimore vjetore për studime pasdiplomike në të gjitha fushat shkencore, bursa vjetore kërkimore për doktorantë, bursa për kërkime afatshkurta, qëndrime për qëllime kërkimi për profesorë universitar dhe shkencëtarë, qëndrime pune për profesorë universiteti nga fusha e artit, kurse verore për studentë (në vitin 2019 u ndanë bursa për 33 studentë, shkencëtarë, profesor universitar nga vendi, si edhe 82 projekte tjera plotësuese, si p.sh. udhëtime studimore ose programe për ish- bursistë.) Aktualisht është i hapur konkursi për vitin 2021/2022 (mund të shihet në veb faqen tonë https://skopje.diplo.de/mk-mk/aktuelles/-/2375546 ).

PASH – shkolla partnere: në Maqedoninë e Veriut 3 shkolla fillore dhe 3 gjimnaze janë të ashtuquajtura shkolla-PASH.
Iniciativa PASH, që do të thotë “Shkollat: partnere të së ardhmes”, synon motivimin e njerëzve të rinj për ta mësuar gjuhën gjermane. Shkollat mund të konkurrojnë për këtë iniciativë, ato pastaj marrin edhe përkrahje të caktuara.
Shkollat – DSD: nxiten dhe përkrahen nga ZfA (Zyra qendrore për shkollat jashtë vendit)ç në Maqedoninë e Veriut aktualisht ka tre gjimnaze, të cilat ofrojnë ligjërata intensive në mësimin e gjuhës gjermane, dhe atje mund të jepen provimet DSD (diplomë gjermane e gjuhës), provime që pranohen nga universitetet gjermane, pa pasur nevojë për dëshmi plotësuese të njohurive gjuhësore.
Konkurse të shumëllojshme, si p.sh. në fushën e mjedisit jetësor “Green Talents” – Ju këshilloj që më shpesh ta vizitoni veb faqen tonë, sepse aty rregullisht shpallen të gjitha konkurset dhe projektet, të cilat mbështeten edhe nga Ministria Gjermane e Punëve të Jashtme. Ka shumë projekte interesante dhe mundësi për mbështetje, por interesimi këtu në vend do duhej të ishte vërtetë më i madh. Shpesh mungojnë paraqitjet në konkurse.

Krijim i tregut rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit, ndryshimi i kufijve gjeneron jostabilitet të rrezikshëm

Lajm: Në vitin 2014 u lansua i ashtuquajturi Proces i Berlinit, që shihej edhe si një lloj Plani i Marshalit për Ballkanin Perëndimor, epitet që deri tani është arsyetuar pjesërisht. Duke pasur parasysh se Gjermania është “motori” i këtij Procesi, a mund të na thuani se çka mund të presë rajoni konkretisht prej tij në vitet në vijim?
Holstajn:
Gjermania jo vetëm që është “motori” i procesit: kjo ishte një ide gjermane, e cila solli rezultate të rëndësishme, edhe pse disa gjëra shkojnë ndoshta më ngadalë se ashtu siç do kishim dëshiruar. Fillimisht ishte ky një përparim i madh, në vitin 2014 Kosova dhe Serbia të ulen në një tavolinë me mbishkrimet e emrave të shteteve. Kjo në ndërkohë është bë normalitet. Tani kemi Zyrën Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO), u ulën taksat e roamingut në rajon, u ndërmorën masa të shumta konkrete në fushën e infrastrukturës në kuptimin e ndërlidhjes, gjithashtu edhe në fushën e digjitalizimit u shënuan përparime. Fakti që në vitin 2020 dy vende të rajonit, pra Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria kryesojnë së bashku me procesin, paraqet simbolikë të fortë politike. Në vitet e ardhshme do të diskutohet për përpjekje në drejtim të hapësirës rajonale ekonomike: të krijohet një treg rajonal, nga i cili do të përfitonin të gjitha vendet e rajonit.

Lajm: Në Maqedoni qarkullon një barsoletë, që për fat të keq është shumë afër realitetit, se dalja e vetme nga kriza është Aeroporti i Shkupit dhe ai i Ohrit. Si vend-dalje nga kriza, shumica shohin Gjermaninë. Deri kur do të jetë kështu. A mund të ndodh që për shkak të krizës tregu gjerman të ngopet dhe të mos ketë më nevojë për punëtorë nga Ballkani? Çka duhet të bëjë vendi ynë që rinia të shohë shpresë për ardhmërinë e vetë edhe këtu, e jo vetëm tek mundësia për të ikur jashtë?
Holstajn:
Për sa i përket perspektivës së rinisë, shkollimi i mirë dhe shanset për një punë interesante në Maqedoninë e Veriut janë parakushtet kryesore. Të shfrytëzohet e ashtuquajtura Rregullore për Ballkanin Perëndimor (punësim i personave të pakualifikuar), ose mundësia e punësimit të punonjësve të kualifikuar në Gjermani, do të thotë të plotësohen zbrazëtirat në Gjermani, por njëkohësisht të krijohen boshllëqe edhe më të mëdha këtu në Maqedoninë e Veriut. Njerëz të rinj me arsim të mirë nevojiten këtu, për ta ndërtuar ardhmërinë se vendit. Dhe ashtu siç përmenda më lartë: më shumë investitorë mund të vijnë vetëm atëherë, kur mund të gjejnë fuqi punëtore përkatëse.

Lajm: Ballkani Perëndimor tani gjendet në fazë relativisht të avancuar të integrimit në Bashkimin Evropian në njërën anë, por në anën tjetër ende mban barra nga e kaluara siç është dialogu Beograd-Prishtinë, në kuadër të cilit përmendet edhe mundësia për ndryshim kufijsh. Cili është qëndrimi i Gjermanisë lidhur me këto çështje dhe a e rrezikon sipas jush ndryshimi eventual i kufijve pjesën tjetër të rajonit, duke përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut?
Holstajn:
Nuk mendojmë se ndryshimi i kufijve është zgjidhje për barrat e së kaluarës, ato shumë më tepër do të gjeneronin jostabilitet të rrezikshëm.

Lajm: Në rajonin e afërt është paraqitur një krizë e re, ajo e Mesdheut Lindor, mes fqinjëve tanë Greqisë dhe Turqisë. Shpresat për parandalim të një konflikti të mundshëm ushtarak shihen te Gjermania dhe kancelarja Angela Merkel. A do të ja dalë Gjermania ta shuajë këtë vatër të mundshme krize, dhe sa rrezikon ky konflikt Maqedoninë e Veriut dhe Ballkanin në përgjithësi?
Holstajn:
Pikërisht partnerët e NATO-s do duhej të komunikonin në mënyrë konstruktive. Gjermania, ç’është e vërteta, javët e fundit ndërmori tentativa ndërmjetësuese. Fakti që anija kërkimore turke u tërhoq, flet për drejtimin e duhur të gjërave.

Lajm: Në çdo bisedë dhe intervistë, temë e pashmangshme muajt e fundit është epidemia globale Covid 19. Gjermania merret si një nga vendet shembuj për ballafaqim me pandeminë, veçanërisht kur bëhet krahasim mes numrit të madh të personave të infektuar dhe numrit të ulët të viktimave. Si është arritur kjo? Si po balancon Gjermania mes rrezikut nga përhapja e Covid 19 dhe nevojës së domosdoshme për të vazhduar jeta normale, funksionimi i ekonomisë, arsimit dhe segmenteve tjera shoqërore? Çka mund të mësojë Maqedonia e Veriut nga shembulli gjerman, sipas jush?
Holstajn:
Të paralajmëruar nga infeksionet në Italinë veriore, ne me kohë ndërmorëm hapa, të cilët u dëshmuan si të suksesshëm. Ishim të përgatitur në momentin kur na goditi vala e parë e pandemisë. Edhe pajisja teknike e institucioneve tona shëndetësore qëndron në nivel të lartë. Por zbutja e pandemisë, së paku për sa kohë që ne ende nuk kemi vaksinë, mund të ndodhë vetëm nëse shumica e njerëzve sillen me ndjenjë përgjegjësie. Kjo do të thotë, para së gjithash, të mbahet maska (edhe atë, në mënyrë korrekte!), aty ku është e nevojshme, distancë dhe masat e higjienës. Kjo mund të jetë e bezdisshme, por, deri në tjetër njoftim, e pashmangshme. Vetëm kështu mund të zhvillohet një minimum i jetës normale.

Lajm: Gjermania ka ndihmuar vendin tonë në përballjen me pandeminë. A mund të presim ndihmë edhe në periudhën në vijim?
Holstajn:
Natyrisht se po. Eshtë dëshirë e fortë e jona, që miqve dhe partnerëve tanë tu tregojmë, se edhe në kohëra të vështira ata mund të llogarisin në ndihmën tonë. Deri më tani, rajonin në mënyrë dirtekte e kemi mbështetur me 15 milionë euro. Këtu në Maqedoninë e Veriut kemi ndihmuar me pajisje spitalesh, makina për ndihmën e shpejtë, dhe kemi dorëzuar 8 respirtorë të firmës Dräger. Një ndihmë tjetër është në planifikim e sipër. Kësaj i shtohet edhe ndihma jonë në kuadër të BE-së dhe organizatave multilaterale, si OBSH.