Interpelanca e Mexhitit kundër Grubit e Osmanit, në harresë

100 ditë pas formimit të qeverisë, në Kuvend nuk ka asnjë nismë për interpelancë kundër ministrave të qeverisë aktuale, ndonëse kishte shumë zëra për një gjë të tillë, shkruan gazeta LAJM. Kohë më parë spekulohej se nënkryetari i BDI-së dhe shefi i grupit parlamentar të kësaj partie Izet Mexhiti do të inicojë interpelancë kundër zv/kryeministrit Artan Grubi dhe ministrit të Jashtëm, Bujar Osmani, por një gjë e tillë akoma nuk ka ndodhur. Mexhiti, është i pakapshëm për të sqaruar nëse në ditët në vijim do ta bëjë një gjë të tillë, ndërsa kohë më parë në një deklaratë për TV21 nuk kishte demantuar këto zëra. Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti në disa paraqitje për media ka hedhur poshtë mundësinë për inicimin e interpelancës nga ana e deputetëve të partisë së tij. Ndërkohë, kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, vlerëson se interpelanca në këtë kohë do të prodhonte vetëm debate dhe akuza për politika ditore. Sipas tij zgjidhja për situatën aktuale politike është formimi i qeverisë së zgjëruar dhe zgjedhjet e parakohshme./Gazeta LAJM