Agjencia e Sigurisë dhe Inteligjencës e Kroacisë (SOA), të hënën (21 korrik) ka publikuar raportin publik për vitin 2025 mbi gjendjen e sigurisë në vend, por edhe në rajon.
Në raport u konstatua se Kroacia është një demokraci e sigurt dhe e qëndrueshme në një mjedis sfidues sigurie.
Ndërkaq, raporti ka përfshirë edhe republikat fqinje të Kroacisë, ato të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Fokus i jepet edhe raportit mes Kosovës dhe Serbisë, teksa thotë se dy vendet vazhdojnë të kenë raporte të tensionuara.
“Republika e Serbisë ka vazhduar politikën e saj të balancimit midis Perëndimit, Rusisë dhe Kinës, me tensione që vazhdojnë në marrëdhëniet me Kosovën. Serbia vazhdon të promovojë në mënyrë aktive konceptin e ‘Botës Serbe’, i cili synon të bashkojë serbët në vendet fqinje, veçanërisht në Bosnjë dhe Hercegovinë, Mal të Zi dhe Kosovë, nën ombrellën e vetme politike të Beogradit zyrtar. Koncepti i ‘Botës Serbe’ në shumë elementë të tij është një kopje e konceptit rus të veprimit hibrid dhe ndikimit ndaj vendeve fqinje të quajtur ‘Bota Ruse’”, thuhet ndër të tjera në këtë raport, raporton Klankosova.tv.
Më tutje, thuhet se “marrëdhëniet Serbi-Kosovë mbeten të paqëndrueshme”, teksa përmenden edhe aksionet e institucioneve të Kosovës për mbylljen e institucioneve paralele të Serbisë në Kosovë.
“Në periudhën e kaluar, autoritetet e Kosovës kanë punuar më aktivisht për të mbyllur institucionet paralele parashtetërore serbe që veprojnë në veri të Kosovës, e cila është e banuar kryesisht nga serbë, me të cilat Prishtina po përpiqet të forcojë sovranitetin shtetëror të Kosovës në atë pjesë të territorit dhe të kufizojë ndikimin e Beogradit. Në rrethana të tilla, përshkallëzimi i tensioneve në Kosovë mbetet një rrezik i vazhdueshëm”.
“Prandaj, roli i një garantuesi sigurie vazhdon të luhet nga prania ushtarake e forcave ndërkombëtare”, thekson raporti i inteligjencës kroate.
Jehonë aty i jepet edhe sulmit terrorist dhe agresionit serb në Banjskë.
“Sulmi i armatosur nga formacionet paraushtarake serbe ndaj policisë së Kosovës në fshatin Banjskë më 24 shtator 2023, tregoi se ka aktorë që duan të destabilizojnë situatën e sigurisë në veri të Kosovës, ose të sabotojnë procesin e negociatave”.
“Prishtina akuzoi Beogradin se qëndron pas sulmit, gjë që zyrtarët serbë e mohuan. Përgjegjësinë për sulmin e mori Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, një parti politike e komunitetit serb në Kosovë, e afërt me Beogradin zyrtar. Radoiçiqi mori pjesë personalisht në konfliktin e armatosur dhe iku në Serbi, ku u mor në pyetje, dhe pritet ende të nisë procedura penale kundër tij. Ende nuk është sqaruar se si formacioni paraushtarak i lartpërmendur u organizua dhe u armatos me armë të rënda me origjinë ushtarake”, thotë më tej raporti i SOA.
Më tutje, hapësirë i jepet edhe Kishës Ortodokse Serbe (KOS), e cila, sipas raportit të inteligjencës kroate, “përveç rolit të saj fetar, ka ndikim të rëndësishëm politik kombëtar dhe rajonal”.
“Në segmentin politik, udhëheqja e KOS mbështet dhe promovon konceptin politik të ‘Botës Serbe’, duke theksuar veçanërisht Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi dhe Kosovën si pjesë të kësaj zone. Një shembull i mbështetjes për konceptin e ‘Botës Serbe’, si dhe forcimi i perceptimit të unitetit të shtetit serb dhe Kishës Ortodokse Serbe, ishte i dukshëm në pjesëmarrjen e udhëheqjes së Kishës Ortodokse Serbe në Asamblenë e Parë Kombëtare Gjithë-Serbe të titulluar ‘Një Popull, Një Asamble – Serbia dhe Sërpska’ në Beograd më 8 qershor 2024, së bashku me udhëheqësit politikë të Serbisë dhe entitetit të Republikës Sërpska. ‘Asambleja Gjithë-Serbe’ shërbeu për të ripromovuar idenë nacionaliste të ‘një populli, një feje, një shteti’, duke e vendosur Republikën Sërpska në plan të parë dhe duke futur Malin e Zi në këtë kontekst”, tha raporti i SOA-s kroate.
Po ashtu, përmendet edhe roli i vazhdueshëm i Rusisë në, siç thuhet, “ngadalësimin dhe pengimin e procesit të integrimit euroatlantik në Ballkanin Perëndimor”.
“Kjo reflektohet veçanërisht në shembullin e Serbisë, të cilën Rusia e mbështet politikisht, diplomatikisht, ushtarakisht dhe në inteligjencë në qëllimet e saj të politikës së jashtme (kryesisht në lidhje me Kosovën dhe Republikën Sërpska), por edhe në proceset e saj të brendshme politike. Rusia përdor lidhjet tradicionale me Serbinë, domethënë me serbët në vendet e tjera, veçanërisht në Republikën Sërpska në Bosnje dhe Hercegovinë, si bazë për bashkëpunim politik, të sigurisë dhe ekonomik”.
“Rusia ka forcuar praninë e saj të inteligjencës në Serbi, veçanërisht me anëtarët e sistemit të inteligjencës të cilët më parë ishin dëbuar nga vendet e BE-së ku ata vepronin fshehurazi si diplomatë. Duke gjetur strehim në Serbi, agjentët e inteligjencës ruse të lartpërmendur mund të vazhdojnë aktivitetet e tyre pa pengesa. Në të njëjtën kohë, Serbia dhe Rusia po forcojnë zyrtarisht bashkëpunimin e tyre të inteligjencës”.
“Mjetet hibride ruse veprojnë gjithashtu nga territori serb. Në nëntor 2022, në Serbi u hap një medium RT (RT Balkan) në gjuhën serbe, dhe një degë serbe e ‘Sputnik’ ka qenë në funksion që më parë. Këto media shërbejnë për të përhapur narrativa pro-ruse dhe anti-perëndimore në Ballkanin Perëndimor”, tha raporti i Agjencisë së Sigurisë dhe Inteligjencës të Kroacisë (SOA). /Klankosova.tv