Presidenti rus, Vladimir Putini, nuk e ka as dëshirën e as vullnetin ta ndalë luftën në Ukrainën fqinje dhe beson se mund t’i “mashtrojë” Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë bisedimeve në Washington për përfundimin e luftës, ka deklaruar një zyrtar i Inteligjencës Evropiane.
Kaupo Rosin, drejtor i shërbimit të inteligjencës së jashtme të Estonisë, ka thënë se Moska po përpiqet të fitojë kohë në bisedimet me SHBA-në dhe se “nuk ka absolutisht asnjë diskutim për bashkëpunim real apo domethënës me Shtetet e Bashkuara”.,
Rosin i ka bërë këto deklarata gjatë një konference online me gazetarë, përpara publikimit të raportit vjetor të sigurisë së Estonisë.
Ai ka thënë se vlerësimet bazohen në informacione të mbledhura nga inteligjenca estoneze nga “diskutime të brendshme ruse”, pa dhënë detaje se si janë siguruar këto të dhëna.
Raporti estonez vlerëson se Rusia ka pak gjasa të sulmojë NATO-n gjatë këtij viti ose viti e ardhshëm, por paralajmëron se Moska mbetet e rrezikshme, pasi po përpiqet të forcojë kapacitetet e saj ushtarake.
Zyrtarët rusë kanë këmbëngulur publikisht se dëshirojnë një marrëveshje të negociuar, por sipas raportit tregojnë pak gatishmëri për kompromis dhe mbeten të palëkundur në kërkesat e tyre.



