Intelektuali sehirxhi

Arbër Çeliku

Nuk ka më të dëmshëm se kjo shtresë e shoqërisë. Në çdo shoqëri të qytetëruar intelektualët u kanë prirë proceseve shoqërore, prandaj ata janë sot aty ku janë: të mirëqenë në çdo aspekt, me arsim cilësor, shëndetësi për të qenë, ekonomi të zhvilluara, ambiente dhe ajër të pastër, integritet dhe dinjitet njerëzor, të drejta joselektive dhe kështu me radhë.
Intelektuali ynë hesht, është frikacak, egoist (pasi mua më shkon mirë, të tjerët në djall i pafsha), cinik, injorant dhe, më e keqja, ai është sehirxhi. Hiqet e striqet si kërmilli në shi, përfiton nga çdo situatë, larget e përjarget për një post, i duartrokit të keqes, mburret kur udhëhiqet nga i padituri dhe nuk mendon aspak për përmbysjen e vlerave, duke ua bërë të pasigurtë të ardhmen fëmijëve të vet.
Dhe, intelektualin sehirxhi nuk e do as mileti dhe as dovleti, prandaj dhe ai sot shërben si mjet për një përdorim. Flaket si prezervativ në koshin e plehrave të shoqërisë.