Intelektualët shqiptarë në Maqedoni me letër të hapur: Të bëjmë ndryshimin më 15 korrik, që të shpëtojmë si komb!

Ne profesorët universitar e intelektual të nënshkruar më poshtë, seriozisht jemi të brengosur për dozën e manipulimit politik me ndjenjat e popullit që është duke ndodhur për vite ndër ne. Garnitura politike, vite me radhë para popullit i japin premtime shpesh të pavërteta me qëllim mashtrimi kolketiv, kurse pas mbarimit të zgjedhjeve gjithçka shkonë në haresë apo konvertohet në tendera. Kurse premtuesit dhe fituesit pa kurrfarë legjitimiteti e kredibiliteti moral, vazhdojnë të udhëheqin me pushtetin duke bë keqpërdorime. Këtë e pamë edhe në rastin e pranimit të stemës – luanit VMRO-ist, që duhej të instalohej nëpër letërnjofitmet tona, pasaporat, diplomat, certifikatat, shenjat policore e ushtarake etj. Këtë e pamë edhe gjatë votimit të ligjit për natalitetin që i përjashtonte shqiptarët e në shumë raste tjera. Kjo u pa edhe nga shumë montime të rrezikshme destabilizuese që përfunduan me gjakderdhje, vetëm që të mbrohet nëntoka. Kjo ofendon inteligjencën e njeriut mesatar.
Për gati njëzet vite, popuj dhe shtete të ndryshme kanë mbrri rezultate spektakulare zhvillimore, kurse për udhëqësit tanë çdo gjë shkon prapa dhe jemi rasti i vetëm në botë, ku për 20 vite shkojmë pas. Kjo ka bërë shpëguljen marramendëse të përmasave biblike të popullatës më vitale shqiptarë në Maqedoninë e Veriut. Mbi gjysma e fëmijve shqiptar nga ky shtet, tani lindin jashtë. Pjesa jonë e popullatës sonë shpërngulet afro tri here më shumë se mesatarja ballkanike dhe kjo me të drejtë mund të merr epitetin – ekzod shekullor që do mbetet në librat e historisë si tragjedi kolektive e shkaktuar nga një garniture e papërgjegjshme që tani 20 vite udhëheq me ne.
Ndër vite këtu, nga askush s’janë marrë ide se çka duhet bërë, madje janë penguar dhe kushtëzuar ata që kanë planifukua ndonjë investim. Tani afro gjysma e popullsisë shqiptare e Maqedonisë së Veriut ka lënë trojet e veta duke lënë nënat e mjeruara. Çdokush nga ne brengoset kur shtëpitë përreth tij mbeten të zbrazura, ku humbet çdo objektivë zhvillimore, ku humbet vullneti e perspektiva. Shohin në rrethet e në lagjet tona se çdo ditë e më shumë jeta bëhet deprimuese. Shkollat mbeten pa zërin e ëmbël të fëmijëve, punëtoritë mbyllen, prodhimi pakësohet, shëndetësia shkatërrohet, kurse pushteti me logjikën e të dehurit hudhë paratë e fundit në çdo anë që sërish të mbetet në krye të shtetit. Shqiptarët këtu s’kanë nevojë për patriotizma boshe që pastaj dikush lehtë i konvertohen në treg të zi, por për zhvillim në çdo sferë, për punësim, për arsim kualitativ dhe për jetë normale këtu.
Të nderuar bashkatdhetarë, apelojmë që kësaj here si shansi i fundit i shpëtimit të mendojmë për ndryshime në kampusin politik shqiptar. Ndryshimet duhet të na ndodhin jo vetëm si rezultat i logjikës demokratike, por aq më shumë si shpëtim historik. Kjo mund të jetë shansa e fundit për ekzistencën tonë.
Prof. dr. Sabaudin Zhuta
Prof. dr. Etem Aziri
Prof.dr. Nazmi Maliqi
Prof.doc. Arlinda Kadri
Prof.dr. Mersel Bilalli
Prof. dr. Mitasin Beqiri
Prof.dr. Zemri Elezi
Prof. doc. Naser Hetemi
Prof. doc. Zineta Asani
Prof.dr. Izmit Durmishi
Xhevdet Hajredini – ish minister
Mahi Nesimi -publicist
Xhenur Iseni -analist