Integrimi në BE, 85% e bizneseve shqiptare rrezikojnë faliment, nëse nuk plotësojnë standardet

Teksa Shqipëria ka hyrë drejt fazës konkrete të vlerësimit, Shoqata Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë (BPSH) dhe Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar (KASH) ngrenë alarmin për nivelin e ulët të bizneseve shqiptare që kanë deklaruar se janë të përgatitura me standardet e BE-së.

Shoqata e Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë vlerëson se nga sondazhet e para, vetëm 15% e bizneseve janë të përgatitura për në BE, ndërsa rreth 98% e tyre nuk kanë mundësi financiare për të përballuar vetë faturën e kostos së transformimit.

Sekretari i përgjithshëm i BPSH-së, zoti Arben Shkodra, shpjegon se që të mbijetojnë, për të gjithë operatorët do të jetë i detyrueshëm transformimi për përshtatjen e standardeve, përfshirë ato për sigurinë ushqimore, teknologjisë së prodhimit, sistemin e gjurmueshmërisë që zbatojnë, mbrojtjen e mjedisit, certifikimet e punësimit etj.

Por në këtë fazë, sipas tij, shumica e bizneseve nuk kanë as informacionin dhe as kapacitetet financiare për të realizuar transformimin që kërkon integrimi në BE.

“Bazuar në një analizë paraprake të bërë nga Ministria e Ekonomisë, sipas vetëdeklarimeve të bizneseve, rezulton se rreth 10 deri në 15% e tyre janë relativisht të përgatitur për të qenë pjesë e Bashkimit Europian.

Rezulton një kategori tjetër ku përfshihen kompanitë që kanë probleme, por të zgjidhshme. Dhe është një tjetër kategori, ku përfshihet numri më i madh i bizneseve që nuk përmbushin asnjë standard teknik për të qenë pjesë e tregut europian, por që edhe nuk kanë dijeni sesi do t’i plotësojnë” thotë Shkodra në një intervistë për Monitor.

.Z. Shkodra thotë se nga procesi i parë i certifikimit, sektori më i goditur do të jetë përpunimi industrial ushqimor.

“Nga një analizë e Ministrisë së Ekonomisë, por edhe nga vlerësimet e kryera prej kohësh në terren nga shoqatat e biznesit, gjykojmë se sektori që do të goditet më shumë nga procesi i parë i vlerësimit dhe certifikimit të standardeve të BE-së, do të jenë degët e nënsektorit të përpunimit industrial ushqimor.

Përfshirë sektorët, si: pijet alkoolike dhe joalkoolike, produktet ushqimore që prodhohen, tregtohen dhe përpunohen nga frutat, perimet, vaji i ullirit, brumërat, mishi dhe nënproduktet e tij, peshku etj.

Aktualisht, vëmendja kryesore e BE-së është identifikimi dhe vlerësimi i të gjithë sektorëve dhe nënsektorëve të industrisë ushqimore, me qëllim që ato të integrohen brenda standardeve ekonomike dhe të garantohet siguria ushqimore për konsumatorin europian.

Ne vlerësojmë që edhe nënsektorë të përpunimit industrial joushqimor do të kenë mjaft probleme. Sektori i ndërtimit do të kalojnë në një filtër shumë të dendur të BE-së, pasi duhet të garantohet që jo vetëm materialet që përdoren të jenë të bazuara mbi eurokodet, por edhe procesi i ndërtimit në kantiere të zhvillohet mbi rregulla shumë strikte.

Për rrjedhojë, të gjitha kompanitë shqiptare duhet të nisin punën për plotësimin e standardeve.

Dy janë fjalitë kryesore në integrim: arritja e konkurrueshmërisë dhe transformimi. Pa transformim nuk mund të arrihet konkurrueshmëria”. /Monitor/

© SYRI.net