Integrimi / Mucunski: S’ka ndryshime pa garanci

Ministri i Jashtëm Timço Mucunski përsëriti qëndrimin e ngurtë se ndryshimet kushtetuese nuk do të votohen pa garanci të qarta nga Bashkimi Evropian. Ai tha se pos Bullgarisë, të gjitha shtetet e tjera anëtarë janë të gatshme për të dhënë garanci se ky do të jetë kushti i vetëm për Maqedoninë në procesin integrues.

“Në këtë moment kushte për ndryshime kushtetuese nuk ka, kushtet për ndryshimet kushtetuese mund të krijohen në bazë të ndërtimit të besimit të ndërsjellë. Besimi i ndërsjellë mund të ndërtohet nëse ka garanci institucionale, për të cilën besoj se ka gatishmëri te pothuajse të gjitha shtetet përveç një shteti dhe kjo përbën shqetësim. Gjithashtu ndërsa Bullgaria fqinje pret që ne ta përfshijmë pakicën bullgare në kushtetutë e pakta që mund të bëj është t’i përmbush obligimet sa i përket të drejtës ndërkombëtare publike respektivisht Konventës për të Drejtat e Njeriut”, deklaroi Timço Mucunksi, Ministër i Jashtëm.

Mucunski paralajmëroi takim të mundshëm të nivelit të lartë mes Shkupit dhe Sofjes, gjatë qëndrimit të presidentes Gordana Siljanovska Davkova javën tjetër në kuadër të një ngjarjeje rajonale. Sa i përket kritikave në propozim/raportin e eurodeputetit Tomas Vajc për sundimin e ligjit dhe mungesës së përparimit në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, Mucunski thotë se është në vijë të njëjtë me Vajcin.

“Për mos arritjen e rezultateve në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë, edhe unë pajtohem plotësisht, as unë nuk jam i kënaqur me sistemin gjyqësor për nivelin e rezultateve sa i përket lëndëve të korrupsionit të lartë, një nga lëndët e tilla për të cilën jemi dëshmitarë është lënda lidhur me “Mazutin” dhe indiciet për vepër të rëndë penale lidhur me këtë rast”, theksoi Timço Mucunksi, Ministër i Jashtëm.

LSDM akuzon qeverinë për manipulim dhe bllokim të integrimit evropian me qëllim që të vazhdojnë siç thonë, ta vjedhin shtetin.

“Qëllimi i kësaj fushate është të pengohet anëtarësimi i Maqedonisë në Bashkimin Evropian në mënyrë që pa asnjë kontroll dhe pa asnjë përgjegjësi të bëhen lloj-lloj vjedhjesh, prandaj dhe ky patriotizëm i rrejshëm, pikërisht për këtë ju shërben kjo luftë e rreme kundër bullgarëve, gjoja luftojnë kundër bullgarëve ndërsa posedojnë pasaporta bullgare ndërsa në të vërtetë luftojnë kundër Evropës dhe të ardhmes evropiane të shtetit tonë” , tha Andrej Zhernovski, LSDM.

LSDM-ja i bëri thirrje sërish qeverisë që të organizojë referendum ku qytetarët do të vendosnin nëse duan izolim apo integrim në BE./Alsat.mk.