Instituti amerikan i Luftës: Probleme financiare, Putin ka dështuar t’i paguajë mercenarët

Kremlini ka dështuar t’iu paguajë mercenarët dhe ka dëmtuar përpjekjet e ardhshme të rekrutimit të luftëtarëve të rinj.

Mercenarët për Rezervën e Ushtrisë Luftarake Ruse (BARS) iu premtuan 50 deri në 120 euro në muaj për një kontratë trevjeçare, e cila ka filluar të zbatohet në vitin 2021, por nuk u paguan asnjëherë, tha Instituti amerikan për Studimin e Luftës (ISW).

Tani blogerët ushtarakë rusë pohojnë se është bërë e pamundur për rekrutët që të marrin dokumente që vërtetojnë se kanë luftuar gjatë pranverës dhe verës së vitit 2022, të cilat u kërkohen për të tërhequr pagesat, raporton skynews.

Ushtarët që luftuan rreth Svatove dhe Kreminna në muajin shtator të vitit 2022 gjithashtu nuk kanë marrë kompensim për lëndimet e tyre, pretendojnë blogerët.

Realizimi i pagesave të premtuara dhe angazhimeve të përfitimeve do të “shteronte buxhetet e shtetit rus”, njoftoi ISW.

“Mos interesimi i Kremlinit për të paguar formacionet vullnetare mund të nxit rusët që mos të nënshkruajnë kontrata me Ministrinë e Mbrojtjes ruse gjatë ose pas luftës për shkak të mosbesimit në rritje”, shtoi ai.

Kjo do ta detyrojë ushtrinë ruse të mbështetet më shumë në rekrutimin e detyruar ose të integrojë forca të parregullta.

ISW beson se kjo e fundit mund të tjetërsojë luftëtarët që përbëjnë ato forca të parregullta, të cilët shpesh udhëhiqen nga një përkushtim ideologjik ndaj nacionalizmit në vend të profesionalizmit ushtarak.

Ndryshe, Rusia tashmë ka një formacion paraushtarak i njohur si grupi Wagner ndërsa së fundi, aleati i presidentit rus, Vladimir Putin, Ramzan Kadyrov ka paralajmëruar themelimin e një grupi tjetër të ri.