Institucionet publike në Shqipëri kanë rritur ndjeshëm shpenzimet për udhëtime ajrore gjatë vitit 2025, duke arritur në rreth 377.6 milionë lekë, ose afërsisht 3.8 milionë euro për bileta të transportit ajror ndërkombëtar. Sipas të dhënave nga raporti vjetor i Agjencisë së Prokurimit Publik, kjo shumë përfaqëson një rritje prej 8.66% krahasuar me vitin 2024, kur shpenzimet ishin 347.5 milionë lekë.
Rritja e fondeve për bileta vjen paralelisht me shtimin e numrit të procedurave të prokurimit, të cilat po zhvillohen përmes sistemit dinamik të blerjeve. Gjatë vitit 2025 u zhvilluan 3,134 procedura, nga 2,856 një vit më parë, ndërsa procedurat e përfunduara me fitues arritën në 2,847, në rritje me 9.84%.
Megjithatë, përtej rritjes së shpenzimeve dhe aktivitetit të prokurimit, të dhënat zbulojnë edhe problematika serioze në menaxhimin e këtyre procedurave. Vetëm gjatë vitit 2025 janë anuluar 286 procedura për blerje biletash, ku një pjesë e konsiderueshme lidhet me mangësi në dokumentacion.
Sipas raportit, rreth 41% e anulimeve kanë ardhur si pasojë e gabimeve ose mangësive në dokumentet e tenderit, duke ngritur pikëpyetje mbi standardet dhe përgatitjen e institucioneve publike. Ndërkohë, 36% e rasteve lidhen me mungesën e ofertave të përshtatshme në treg, çka sinjalizon probleme të mundshme me konkurrencën dhe organizimin e procedurave.
Pjesa tjetër e anulimeve lidhet me rrethana të paparashikueshme, ankesa nga operatorët ekonomikë apo edhe mungesë kërkese nga vetë autoritetet kontraktore, duke reflektuar një nivel joefikasiteti në planifikimin e shpenzimeve.
Edhe pse blerja e biletave klasifikohet si pjesë e prokurimeve me vlerë të vogël, kjo kategori përfshiu 12,450 procedura me fitues gjatë vitit 2025, megjithëse në rënie krahasuar me vitin 2024. Procedurat për bileta përbëjnë rreth 14.5% të totalit të procedurave të përfunduara, por vetëm 0.3% të fondit total të prokurimeve publike.
Rritja e vazhdueshme e shpenzimeve për udhëtime zyrtare, e shoqëruar me një numër të lartë procedurash të anuluara dhe probleme në dokumentacion, ngre shqetësime mbi mënyrën se si administrohen fondet publike dhe prioritetet e institucioneve në një kohë kur qytetarët përballen me rritje të kostos së jetesës.
© SYRI.net



