Inspektorët shkuan pasi spitali ndërmori masa! Konstatojnë se familjarët nuk qëndrojnë brenda qendrës Covid në Tetovë

Inspektorati Sanitar dhe Shëndetësor më 12 shtator ka kryer kontrolle në Qendrën Kovid në Tetovë dhe nuk kanë konstatuar se presona të jashtëm janë futur për t’u kujdesur për të infektuarit në spital. Kjo ndoshta për shkak se tashmë Spitali kishte ndërmarrë masa.

“Në momentin e mbikëqyrjes inspektuese, inspektorët nuk kanë rastisur në persona të jashtëm dhe nuk kanë konstatuar shkelje të ligjit. Kjo me shumë gjasa si rezultat i ndryshimeve në funksionimin e Spitalit, pas presionit të opinionit publik pas ngjarjes tragjike”, thonë nga Inspektorati Sanitar Shëndetësor.

Pikërisht në natën mes 11 dhe 12 shtatorit, Televizioni 21 ishte në spitalin klinik të Tetovës, ku vetë familjarët e të hospitalizuarve pohuan para kamerës se brenda Qendrës Kovid kishin të afërm që po kujdeseshin për të sëmurët dhe se drejtuesit e spitalit kishin dhënë urdhër që familjarët-kujdestarë të largoheshin.

Edhe gjatë ditës së sotme ekipi TV21 ka ndjekur zhvillimet në Spitalin Klinik të Tetovës. Familjarët e të shtruarve thonë se shërbimi është përmirësuar dukshëm për dalim nga javët e mëhershme.

“Unë tash kam ardhur nuk e di si ka qenë, situa tash për tash nuk guxojmë të hymë brenda, jo nuk lëshojnë të hyjmë brenda, vizita nuk ka, po vëllain e kam”.

TV21: Çfarë thotë vëllai keni kontaktuar?

“Po, po, kushtet janë shumë të mira, maksimale”.

“Erdha të vizitojë një, por nuk më lan. Keni ardhur edhe më para? Po kemi ardhur, familjarët përkujdesen për të sëmurët”.

TV21: A mendoni se ka personel të mjaftueshëm, a nuk ka?

“Jo s’ka. Deri sa vajza rri të përkujdeset për prindin, edhe deri sa dikush është i angazhuar që të përkujdeset për familjarin që është i shtrirë në spital, t’i japë ushqim, ta ndërrojë që ka nevojë çfarë personeli mjekësor?! Atëherë s’duhet të ketë familjarë edhe të përkujdesen për atë, për t’i ushqyer apo për cilin do nevojë tjetër”.

Nga Spitali i Tetovës sot askush nuk deshi të flasë para kamerës. Përmes një përgjigjeje me shkrim shkurt thonë se kanë personel të mjaftueshëm që kujdeset për të hospitalizuarit.

Në Spitalin Klinik të Tetovës sot ka vazhduar grumbullimi dokumentacionit nga ana e hetuesisë, në lidhje në lidhje me tragjedinë në Qendrën Modulare, ndërsa Televizioni 21 mëson se edhe gjatë ditës së sotme ekipe të Krim teknikës kanë qenë në Qendrën Modulare për të mbledhur dëshmi shtesë. Nesër pritet që katër hetuesit gjermanë të jenë në Tetovë edhe të fillojnë me ekspertizën.