Inspektorati Shtetëror i Tregut ende pa drejtor

Inspektorati shtetëror i tregut tre javë pa drejtor. Qeveria edhe në seancën e djeshme nuk e emëroi zëvendësin e Stojko Paunovskit, i cili u shkarkua pas reagimeve në opinion. Që të përzgjidhet drejtori i ri i Inspektoratit, leje duhet të japë personalisht kryeministri Zaev.
“Do të emërohet kur qeveria do të vendosë, besoj do të kthehet kryeministri nga turneu evropian dhe do të zgjidhet drejtori në njërën nga seancat e ardhshme qeveritare- deklaroi Lupço Nikollovski- zv- kryeministër i resurseve njerëzore.

Vetëm një javë më parë, i pyetur nga Alsat, Nikollovski tha se priste që drejtori të emërohej në seancën e qeverisë të mbajtur dje, por kjo nuk ndodhi. Ndërsa qeveria po zvarrit se kush do ta drejtojë inspektoratin e tregut, punonjësit e këtij institucioni nuk janë paguar për muajin prill. Edhe pse në inspektoratin e tregut paga e punonjësve paguhet nga 1 deri në datën 5 çdo muaj, këtë herë kjo nuk ndodhi sepse me shkarkimin e Paunovskit, nuk ka kush t’i nënshkruajë urdhërpagesat. Përkundër kësaj, inspektorët e tregut dalin në terren për të kontrolluar nëse subjektet afariste i respektojnë protokollet për mbrojtje nga kovid 19.

Kjo situatë në inspektoratin e tregut vjen pasi Qeveria shkarkoi Paunovskin, i cili e kundërshtoi publikisht punësimin e 35 administratorëve kornizë në inspektorat të cilët u rishpërndanë nga Ministria e Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve mes Komuniteteve.