Industria serbe e urrejtjes në mediat shqiptare

Mediave tona mund t’u bëhen shumë vërejtje, por një praktikë të tyre duhet veçuar si tepër irrituese dhe të dëmshme: transmetimin pa kriter të lajmeve nga gazetat serbe.

Është vërtet e habitshme se si në portalet tona mund të lexosh shumë lajme të transmetuara nga “tabloidët e Vuçiqit”, siç i quajnë me përçmim edhe në Serbi gazetat si Informer, Alo, Kurir, Telegraf, Blic, Veçernje novosti e ndonjë tjetër. Sigurisht, gazetarët e rinj, të cilët nuk dinë serbisht, tërhiqen nga lajmet e tyre të përthyera me ndihmën e përkthyesve elektronikë, pa pasur pamje me të gjerë se çfarë janë ato gazeta. Sikur ta dinin këtë, ma merr mendja se jo që do t’i citonin, por do t’u vinte mundim edhe t’i hapnin portalet e tyre në internet. Deri sa po shkruaj këtë tekst (mbrëmjen e së premtes), në njoftimet për gazetat e së shtunës, bëhet e ditur se “Veçernje novosti” tashmë e ka “marrë vesh” se kah po rrjedhin dëshmitë nga Gjykata e Hagës – “Rrjedhje e provave në regji të ShBA-së?” është titull në krye ta faqes!

Por, ky shembull është fare i padëmshëm ne krahasim me atë se çfarë mund të bëjnë këto gazeta. Se për çfarë shtypi bëhet fjalë, mjafton në zgjedhje e rastësishme e para do kohe e disa titujve të tyre dhe analizës së tyre nga gazeta kroate Jutarnji list, në një artikull për këtë dukuri nga fqinjësia, për shkak se edhe ata ballafaqohen me propagandën e fuqishme antikroate nga këto media serbe.

“Amerika dhe ‘ushtria e Kosovës’ në Shqipëri përgatisin sulm në veri të Kosmetit!”, “Plan skëterror i shqiptarëve: Do ta sulmojnë veriun e Kosovës më 5 qershor?!”, “Amerikanët po e mbushin Kosovën me xhihadistë nga Siria”, “Mercenarët nga Ukraina po e djegin Beogradin”, “Putini është kërcënuar: NATO, larg nga Serbia!”, “NATO do të na i vrasë fëmijët edhe për 150 vjet”, “Putini: NATO po krijon virus për t’i vrarë sllavët”, “Ustashët kërcënojnë Vuçiqin”, “Putin i sjell raketa Serbisë”, “Kroatët po e rrëzojnë Vuçiqin në rrugë!”

Ndonëse të zgjedhur rastësisht nga ballinat e gazetave me tirazhin më të madh, këta tituj maftojnë për të krijuar pamje se si funksionon makineria mediale-propaganduese e Vuçiqit, sepse, sipas gazetës kroate, “është fshehtësi publike në Beograd se ai personalisht, nëpërmjet të ‘zyrtares’ për media Suzana Vasileviq, i redakton dhe dozon tabloidët serbë”.

Qëllimi i këtij koncepti medial është mbështetja absolute e regjimit të Aleksandar Vuçiqit dhe të tij personalisht, prandaj kurdo që atij i duhet, e sulmojnë në mënyrën më të vrazhdtë e më obskure opozitën serbe, apo fqinjtë – shqiptarët, boshnjakët, malazezët, maqedonasit, varësisht nga nevojat “e politikës së jashtme” të Vuçiqit. Ndaj Serbisë përditë thuren komlote, por është Aleksandar Vuçiqi, “i brengosur për Serbinë, por plot shpresë”, i cili mund ta shpëtojë!

Këta tituj edhe mund të duken qesharakë, por nuk është fjala për një dukuri margjinale, sepse kjo “makineri e urrejtjes” a “grushti goditës i Vuçiqit” arrin tirazh të përbashkët ditor prej rreth 350 mijë ekzemplarësh! Mund të merret me mend se çfarë opinioni krijojnë ato ndër serbët e rëndomtë, duke i mbajtur vazhdimisht në gjendje të psikozës së luftës dhe në armiqësi me fqinjtë? Dhe, se për çfarë “normalizimi të marrëdhënieve” angazhohet Vuçiqi, deri sa urrejtja që zjen ndaj shqiptarëve dhe kërcënimet se “do të vijnë rusët” dhe gjithçka të kthejnë siç ka qenë – janë opsesion i përhershëm i medieve të Beogradit.

Por, ka edhe më keq nga kjo praktikë e shëmtuar – mediat tona transmetojnë edhe emisione të tëra televezionesh serbe. Shembulli më drastik është ai i transmetimit para do kohe të një interviste të një ish-drejtori të burgut të Mitrovicës së Sremit, njëfarë Trivun Ivkoviq, i cili paska “dëshmuar” as më pak as më shumë se Ukshin Hotin e kanë vrarë të vetët! Për shkak se, sipas tij, ai qenka rekrutuar nga amerikanët, të cilët paskan dashur ta bëjnë president të Kosovës!

E keni të qartë: fjala është për një drejtor serb të burgut! Dhe portalet tona i besojnë menjëherë?!

Këtë të dhënë, nga një njeri i tillë, çdo njeri normal ndoshta as që do ta mbante mend, apo vetëm do ta merrte si indikacion për vërtetësinë e të cilit duhen dëshmi të tjera. Por, mediat tona e publikojnë pas asnjë rezerve?!

Nuk dyshojnë as kur ai drejtor burgu, në po këtë intervistë, thotë se sipas emrit të Ukshin Hotit është emërtuar një vendkalim kufitar me Shqipërinë? E dini për cilin vendkalim e ka fjalën? Për Hanin e Hotit, vendkalim mes Shqipërisë e Malit të Zi, i hapur në vitet 80-të, mes Jugosllavisë së atëhershme e Shqipërisë, ndërsa toponimi Hani i Hotit ekziston sigurisht me shekuj!

Do të mjaftonte vetëm ky fakt për ta kuptuar se ai drejtor, siç do të thoshin serbët – rrenë “si qen”! Ndërsa, vetëm po të hulumtonin për pak minuta, me mundësitë që sot i ofron interneti, do të mund të shihej se televizioni Happy, në të cilin ka folur ky drejtor i burgut, nga mediet serioze të Beogradit vlerësohet si ndër televizionet më propaganduese në Serbi, po ashtu në shërbim të regjimit të Aleksandar Vuçiqit.

Ndërsa, për udhëheqësin e atij emisioni, Millomir Mariq, ja çfarë thotë një analist serb i mediave, i cili as që ka pranuar të marrë pjesë në një tubim, në të cilin ishte edhe ai:

“Mendoj se veprimi i tij (…) është fatal për mediat në Serbi dhe shoqëria serbe do të ketë pasoja të mëdha e të rënda për gjeneratat e ardhshme, të cilat rriten në këtë vend…”, Prandaj, “nuk mund t’ia lejoj vetes polemikën me njerëz si Mariqi.”

E lexuat mirë: fatal për mediat në Serbi? Por jo edhe për ato të Kosovës?!!

Shtypi shqiptar do të duhej të merrej me këto gazeta vetëm kur ato janë temë për një gazetari të pashembullt ndoshta në tërë botën e sotme, prej tyre mund të huazohet edhe ndonjë deklaratë e ndonjë politikani serb dhe atë me shumë rezervë. Por, të shfrytëzohen ato për ta shtuar sensacionalizimin e gazetave tona, apo edhe më keq – si mjet në luftat tona të brendshme politike – kjo vërtetë është e pafalshme.