Indinjatë me BE-në dhe “dashuri” pa kufi me Open Balkan!

Para katër ditësh grupi i boksiereve kosovarë nuk mundi ta kalojë kufirin serb për të shkuar në Beograd e marrë pjesë në kampionatin botëror të boksit. Ata u kthyen mbrapsht në Prishtinë, sepse ideatori i Open Balkan, Aleksandër Vuçiq, urdhëroi ndalimin e tyre për të marrë pjesë në këtë kampionat. Ai, ndërsa promovon Ballkanin e Hapur, mbyllet për Kosovën edhe në veprimtaritë sportive.

Ndërkaq së paku dy herë në dy muaj presidenti serb organizoi dy intervenime kundër sovranitetit të Kosovës. Qeveria shqiptare thuajse heshtje të plotë. Asnjë kritikë e kryeministrit shqiptar që flet për gjithçka që bëhet në tokë e stratosferë, nuk u bë ndaj mikut të tij në Beograd. Përkundrazi, kreu i ekzekutivit të Shqipërisë shkroi një editorial në “Politico EU”, një portal i rëndësishëm i Bashkimit Evropian ky, në të cilën i tregoi dhëmbët Brukselit, si dhe Procesit të Berlinit, duke u kërkuar që ta njohin “Open Balkan”.

“Shpresojmë që BE-ja dhe miqtë tanë të tjerë, në Londër dhe Uashington, të bashkohen me ne (Nismën ‘Ballkani i Hapur’) dhe të nxisin edhe të tjerët në rajon që gjithashtu të ecin përpara”, shkruan kryeministri i Shqipërisë. Ky qëndrimi i Edi Rasmës zbulon fillimisht faktin se BE, Berlini, Londra dhe Uashingtoni nuk e njohin nismën e Beogradit, Tiranës dhe Shkupit zyrtar për krijimin e Open Balkan. Propaganda qeveritare e sponsorizuar përmes mediave të saj se këto kryeqytete dhe personalitetet euro-amerikane e britanike e njohin Ballkanin e Hapur rezultojnë një gënjeshtër e madhe. E thotë vetë sponsori i gënjeshtrës, pra zoti Rama në “Politico EU”!

Ndërkaq ky lloj diskursi shpreh indinjatën e liderëve autoritarë të Ballkanit rreth qëndrimit të tillë. Paralajmërimet e tipit “Ose….ose” janë tipike për udhëheqës arrogantë, të cilët në mungesë të rezultateve të qeverisjes i adresohen presioneve dhe fajësimeve të te tretëve për dështimet e tyre. Ky është rasti i intervistës së zotit Rama. Ky rast është unik në llojin e vet. Është sikur të thuash “Ti do më respektosh mua, edhe pse unë nuk të respektoj ty”! Është një lloj kulture e denigrimit dhe nënçmimit të politikave evropiane dhe amerikane.

Kancelaritë në fjalë sigurisht që mbajnë shënim për këto deklarime dhe qëndrime. Por ajo që të bën përshtypje lidhet me faktin që ndërsa rajoni po shkon drejt konfliktit për shkak të iniciatorit kryesor të Open Balkan në Beograd, kreu i ekzekutivit shqiptar vazhdon t’i shërbejë kësaj kauze serbe. Dhe nëse do të vazhdojë edhe më tej në këtë rrugë, atëherë do të nxisë indiferencën evropiane dhe amerikane ndaj këtij konflikti. Kur nuk funksionon logjika e liderëve rajonalë, liderët e Fuqive të Mëdha shpesh herë i kanë lejuar ngjarjet të zhvillohen në ekstrem, me qëllim që ata rajonalë t’i rikthehen racionalitetit.

Këmbëngulja e Edi Ramës dhe presioni i tij ndaj Perëndimit për ta njohur dhe mbështetur Minishengenin numër 2 është e çuditshme. Aq sa në Perëndim kanë filluar të dyshojnë se mos midis Vuçiq dhe Ramës ka ndonjë pakt të përbashkët për destabilizimin e rajonit të Evropës Juglindore. Në fakt autoritaristët kanë si cilësi të sjelljes së tyre politike destabilizimin, si mjet për t’u vënë në qendër të vëmendjes dhe për t’u bërë të domosdoshëm në skenën politike. Në thelbin e përmbajtjes kjo sjellje e dy autokratëve, atij të Beogradit dhe këtij të Tiranës, ruhet përpjekja për të zgjatur jetën e tyre në pushtet dhe për të marrë sa më shumë vëmendje e lavdi, pse jo edhe benefite!

Kjo megalomani politike ka bërë që lideri i mazhorancës shqiptare të mos reflektojë rreth zhvillimeve të fundit në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë. Të mos shohë se Serbia përdor si standard me Kosovën jo hapjen, por mbylljen e turpshme edhe në veprimtaritë sportive. Jo vetëm të mos reflektojë, por edhe të mos guxojë të hapë gojën kundër këtyre veprimeve të presidentit të Serbisë. Ndërkohë që Rama është bilbil kur vjen puna për të sulmuar dhe kritikuar Bashkimin Evropian!

Kurse opozita e Lulzim Bashës i bën fresk këtyre qëndrimeve dhe arrogancës së Edi Ramës. Kreu i opozitës ishte zotuar se do ta dërgonte në seancën e parë të parlamentit rezolutën për dënimin e krimeve serbe kundër njerëzimit dhe gjenocidin e Serbisë në Kosovë dhe në Bosnjë-Hercegovinë. Por ka harruar të flasë më për këtë temë! Prej kohësh nuk guxon gjithashtu të flasë për e aq më pak kundër Open Balkan! E gjitha ndodh se të katër këta, Sandri, Edi, Zorani dhe Luli e kanë lidhur fatin e tyre në një kunj, në atë të Georg Soros-it!