Incidenti në qendër të Tetovës: Paralajmërime për përshkallëzim nëse nuk ndërhyjnë institucionet

Shkruan: Urim Saliu

Një incident shqetësues është raportuar në qendër të Tetovës, ku sipas informacioneve fillestare një grup prej më shumë se 20 personash kanë sulmuar disa të rinj. Sipas dëshmitarëve, situata ka eskaluar edhe në përleshje fizike, duke krijuar tension dhe pasiguri mes qytetarëve që ndodheshin në zonë.

Burime jozyrtare thonë se edhe mbrëmjen e kaluar ka pasur një zënkë të ngjashme nga i njëjti grup, gjë që e bën situatën edhe më alarmante. Për momentin, ekipet e policisë po monitorojnë situatën.

Ngjarje të tilla kërkojnë reagim të menjëhershëm dhe serioz nga institucionet, pasi nëse veprime të tilla nuk ndërpriten në kohë, ekziston rreziku që situata të përshkallëzohet dhe të marrë përmasa më të rrezikshme. Tetova është një qytet me ndjeshmëri të veçantë dhe çdo incident i tillë mund të ndikojë në prishjen e qetësisë dhe bashkëjetesës ndërmjet komuniteteve.

Pikërisht për këtë arsye lindin shumë pyetje se a duhet të ndodhë ndonjë tragjedi apo të ketë viktima që institucionet të ndërmarrin masa më të ashpra ndaj personave që organizojnë apo nxisin këto përplasje? Deri tani nuk dihet qartë se cili është motivi i këtyre veprimeve dhe për çfarë qëllimesh po ndodhin.

Po ashtu mbetet e paqartë nëse pas këtyre grupeve qëndron ndonjë nxitje apo ndikim më i gjerë, madje edhe politik. Në një qytet të brishtë si Tetova, çdo tension i panevojshëm mund të përdoret për interesa të ndryshme dhe të krijojë pasoja që shkojnë përtej një konflikti të zakonshëm mes të rinjve.

Për këtë arsye, qytetarët presin që autoritetet të reagojnë shpejt, të zbardhin rastin dhe të marrin masa konkrete për të parandaluar përsëritjen e incidenteve të tilla. Ruajtja e qetësisë dhe sigurisë në Tetovë duhet të jetë prioritet absolut për institucionet.