Incidenti me policin, Molliqaj mohon se është ftuar për intervistë

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, deklaroi se e ka marr përgjegjësinë dhe ka shprehur keqardhje për goditjen me shuplakë që i ka bërë një pjesëtari të policisë gjatë protestës së të shtunës së kaluar, pavarësisht, sipas tij, situatës së padrejtë dhe jokorrekte nga ana e policisë.

Në një konferencë për media, ai u shpreh se nuk e ka ftuar askush dhe se ka qenë në banesë gjithë ditën dhe nuk i ka shkuar askush aty me asnjë ftesë. Para mediave ai shtoi se në këtë punë ka më shumë zhurmë politike se sa për drejtësi.

“Fillimisht e vendosin një video në media, pastaj po nis procedura ndaj meje, e pastaj presioni publik thua se unë jam diku tjetër. Unë nuk kam pranuar ftesë dhe nuk e di se për çka ata janë duke folur. Policia e Kosovës është polici politike karshi opozitës”.

“Policia ka vepruar politikisht. Policia më ka ftuar për të negociuar. Më kanë marr dy komandantë dhe me të dy në ngjitje e sipër polici edhe më ka goditur e me ka ngre. Pse nuk po publikohet videoja e tërë ku shihet momenti që unë e godas policin, pse videoja është publikuar me efekte, është ngadalësuar. Pse policia ndaj veprimit tim nuk reagoi. Pse me lejuan të zbres poshtë?, sepse të dy udhëheqësit e qortuan policin që më sulmoi kur unë isha duke shkuar të negocioj”.

“Polica ka dështuar, nëse do të ketë një hetim ndaj policisë, do të del që policia ka dështuar. Në baze të standardeve dhe vlerësimeve që bëhen, kur vendoset një kordon, ai nuk mund të negociohet, dhe çfarëdo negocimi është vendim politik, e policia nuk ka të drejtë të negociojë. Na kanë zvarritur, shtyrë, sulmuar dhe sharë, dhe në fund e kanë pranuar vendimin tonë. Ka drejtësi selektive”, përfundoi Molliqaj.