Incident para samitit në Tivat: Mali i Zi dëbon 87 serbë, Serbia ndalon qytetarë malazezë

Në prag të Samitit Bashkimi Evropian–Ballkani Perëndimor që mbahet nesër (e premte) në Tivat, marrëdhëniet mes Malit të Zi dhe Serbisë janë tensionuar pas një serie incidentesh që kanë ngritur shqetësime për sigurinë.

Autoritetet malazeze dëbuan dje 87 shtetas serbë, të cilët mbërritën në aeroportin e Tivatit me një fluturim çarter me aeroplanin “Air Serbia”. Sipas shërbimeve të sigurisë së Malit të Zi, grupi konsiderohej rrezik për sigurinë kombëtare, pasi disa prej anëtarëve të tij kishin marrë pjesë në tubime me rrezik të lartë sigurie, ndërsa të tjerë rezultonin të përfshirë në vepra penale dhe kundërvajtje me elemente dhune.

Sipas “Vijesti”, gjatë kontrollit u sekuestruan pankarta me sloganin e Partisë Progresive Serbe (SNS) “Serbia fiton”, si dhe pajisje komunikimi në distancë dhe një radio-stacion detar. Dy autobusë me targa serbe, që dyshohet se do të përdoreshin për transportin e grupit, u konfiskuan gjithashtu.

Ndërkohë, menjëherë pas këtij incidenti, rreth 30 shtetas malazezë u ndaluan për disa orë në aeroportin e Beogradit pas mbërritjes së një fluturimi nga Podgorica, duke shtuar më tej tensionet mes dy vendeve.

Shumë nga personat e dëbuar nga Mali i Zi janë cilësuar nga media, aktivistë dhe opozitarë në Serbi si individë të afërt me SNS-në dhe me strukturat që kanë qenë të përfshira në përballjet me protestat studentore, incidentet në ngjarje sportive dhe aktivitete të tjera të diskutueshme në Serbi.

Samiti i nesërm në Tivat pritet të jetë një nga ngjarjet më të rëndësishme diplomatike në historinë e Malit të Zi. Në të do të marrin pjesë liderë të lartë evropianë dhe rajonalë, përfshirë presidentin francez Emmanuel Macron, kancelarin gjerman Friedrich Merz, kryeministren italiane Giorgia Meloni, kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez, presidentin e Këshillit Evropian Antonio Costa dhe presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen. Edhe Kosova është e ftuar.

Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, deklaroi së fundmi se vendi është përballur muajt e fundit me veprime që synojnë të pengojnë rrugën e tij evropiane, duke përmendur bashkëveprim mes faktorëve të huaj politikë dhe grupeve të krimit të organizuar, pa dhënë emra konkretë.

Nga ana tjetër, Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit e Serbisë (BIA) njoftoi se i kishte rekomanduar presidentit Aleksandar Vuçiq të mos udhëtonte në Tivat për shkak të rrezikut të lartë të sigurisë. Sipas BIA-s, autoritetet malazeze nuk kishin ndarë me kohë vlerësimet e kërkuara të sigurisë për samitin. Megjithat, autoritetet malazeze kanë garantuar se siguria do të jetë në nivel për secilin lider që do të marrë pjesë në samit.

Gazetarja serbe Vera Didanoviq, duke komentuar incidentin, ka thënë për “Vijesti” se është e vështirë të besohet se një operacion i tillë do të organizohej në mënyrë kaq të dukshme nëse synimi do të ishte fshehja e tij. Sipas saj, mbetet e paqartë nëse bëhet fjalë për një dështim serioz organizativ apo për një veprim të qëllimshëm me mesazh politik, drejtuar Malit të Zi, Bashkimit Evropian apo opinionit publik në Serbi.

Deri tani, presidenti, kryetari i Kuvendit dhe kryeministri i Malit të Zi nuk kanë bërë deklarata të detajuara mbi incidentin. Zëvendëskryeministri Aleksa Beçiq u shpreh se reagimi i institucioneve në aeroportin e Tivatit dëshmoi se sistemi i sigurisë funksionon dhe se rreziqet identifikohen dhe neutralizohen në kohë.