Incident në Bosnje: Nën shoqerimin e Vuçiqit, grup i armatosur nga Republika Sërpska hyri në Federatën e Bosnjës

Rreth tridhjetë persona të armatosur, kryesisht pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Srpska (RS), kanë hyrë sot në territorin e Federatës së Bosnjë e Hercegovinës, përkatësisht në Kantonin e Bosnjës Qendrore (SBK), raporton portali investigativ Istraga.ba.

Sipas këtij mediumi, grupi ka përdorur katër furgonë të MPB-së së RS-së, dy automjete të kompanisë së postës së shpejtë EuroExpress dhe tre mjete të tipit ATV (kuadë). Ata janë parë duke lëvizur në afërsi të delegacioneve të Republikës Srpska dhe Republikës së Serbisë, të udhëhequra nga Milorad Dodik dhe Aleksandar Vuçiq.

Megjithatë, sipas burimeve të Istraga.ba, këta persona nuk figuronin në listën e zyrtarëve policorë nga Bosnja e Hercegovina dhe Serbia të autorizuar për sigurimin e presidentit serb. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të Bugojnës.

Anëtarët e këtij grupi nuk mbanin uniforma policore dhe as shenja identifikuese të MPB-së së Republikës Srpska. Sipas burimeve të portalit dhe fotografive nga vendi i ngjarjes, ata ishin të veshur me rroba civile.

Policia e Kantonit të Bosnjës Qendrore i ka vërejtur në një zonë pyjore pranë Bugojnës, territor që ishte nën sigurim të thelluar nga MPB-ja e këtij kantoni. Kur një polic i Federatës i ka ndaluar, ata janë arsyetuar se ndodheshin “në zbulim”. Megjithatë, koha e lëvizjes së tyre dhe numri i pjesëtarëve nuk përputhej me të dhënat zyrtare të MPB-së së Republikës Srpska, MPB-së së Serbisë dhe Drejtorisë për Koordinimin e Trupave Policore të Bosnjë e Hercegovinës.

Pas kësaj, është njoftuar Njësia Speciale e MPB-së së Kantonit të Bosnjës Qendrore, e cila ka nisur kontrollin në terren. Sipas raportimit të Istraga.ba, grupi i armatosur që ndodhej në pyll është larguar menjëherë nga zona.

Më vonë janë vërejtur automjetet e tyre duke u drejtuar në drejtim të Donji Vakufit. Policia e kantonit ka ngritur një pikë kontrolli për t’i ndaluar, por automjetet nuk janë paraqitur.