Inati i politik i Thaçit dhe Veselit me ministren Haxhiu/ Vetëvendosje nuk ka asnjë “borxh në procesin e krijimit të Gjykatës Speciale”

Gjykata Speciale e votuar nga Kuvendi i Kosovës daton qysh nga 3 Gushti i vitit 2015. Aktakuzat e para do te bëheshin publike vetëm pas afërsisht 5 viteve që nga themelimi i saj. Atë botë, kryeministër i Kosovës ishte, Isa Mustafa.

Në një fjalim të tij para deputetëve, Mustafa do të theksonte se kjo është një sfidë që Kosova duhet ta kalojë.

“Është detyrimi moral, që Kosova ka ndaj partnerëve ndërkombëtarë sidomos atyre, që ndihmuan çlirimin e vendit dhe pavarësinë, si SHBA dhe vendet e BE-së, që e konsiderojnë të nevojshme formimin e Gjykatës Speciale. Kosova nuk mund të qëndrojë e izoluar”, kishte thënë kryeministri i atëhershëm Isa Mustafa, duke shtuar se zbardhja e të vërtetës është një sfidë, që Kosova duhet ta kalojë.

Ndërsa njëri ndër figurat kryesore të UÇK-së, dhe ministri i atëhershëm i punëve të jashtme, Hashim Thaçi fillimisht e mbështeti idenë e krijimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, por pasi e kuptoi që do të përballet me një aktakuzë të mundshme për krime lufte, ai tentoi që ta pengojë dhe minojë këtë gjykatë përmes mbledhjes së nënshkrimeve në Kuvendin e Kosovës për ta zhbërjen e saj. Shqetësimet e Thaçit dolën të jenë të vërteta sepse një ndër aktakuzat e para nga Gjykata Speciale, e inkriminonte direkt këtë të fundit.

Që nga nëntori i vitit 2020 Thaçi gjendet në Hagë, për të vazhduar procesin gjyqësor si i dyshuar për krime lufte. Bashkë me Hashim Thaçin janë edhe figurat tjera të UÇK-së si: Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Salih Mustafa, Nasim Haradinaj, Hysni Gucati etj.

Meqenëse Gjykata Speciale funksionon në kuadër të ligjit të Republikës së Kosovës, shpeshherë zyrtarët shtetërorë udhëtojnë drejtë Hagës për të zhvilluar takime me të burgosurit që gjinden atje.

Në muajt e fundit, për në Hagë ka udhëtuar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Por këtë të fundit nuk e kanë pritur në takim, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli. Ajo është refuzuar më shumë se 1 herë në takimet e saj në Hagë. Herën e parë arsyetimi i Thaçit ishte se ajo vizitë po bëhej për motive politike në kohë fushate.

“Ato nuk erdhën të interesohen për ne, por donin të përdornin takimin me mua, në kulmin e fushatës elektorale në Kosovë. Qeveria e Kosovës nuk na ndihmoi duke na sjellë kafe apo duke na pyetur a u dhemb koka këtu ku jemi. Këto i sigurojmë vetë. Ata na ndihmojnë me qëndrime publike, por pikërisht nga këto qëndrime na kanë dëmtuar sa kanë mundur. Përveç qeverisë së Shqipërisë, askush nuk na ka ndihmuar”, i kishte thënë Thaçi një gazetarit nga Shqipëria.

Ndërsa rasti i fundit është gjatë ditës së martë, kur përsëri Veseli dhe Thaçi nuk kanë pranuar që të takohen me Haxhiun. Këtu vlen të përmendet fakti se Albulena Haxhiu, në vitin 2015, në Kuvendin e Kosovës, kishte votuar kundër formimit të Gjykatës Speciale, ashtu siç kishte votuar edhe grupi parlamentar i Vetëvendosjes. Ende nuk dihet saktë se cila është arsyeja e mos pranimit për të takuar Haxhiun gjatë ditës së djeshme por, që sigurisht se dy figurat e UÇK-së i kanë arsyet e veta.

Lidhur me këtë, analisti politik, Gazmir Raci në një prononcim për Gazetën “Bota sot”, ka thënë se refuzimi për të takuar ministren Haxhiu është absurd.

Image

Gazmir Raci

“Është përgjegjësi e Ministrisë së Drejtësisë të kujdeset për të gjithë të akuzuarit nga Dhomat Speciale në Hagë dhe mos realizimi i këtyre takimeve për mendimin tim është diçka absurde”, tha Raci.

Sipas tij pavarësisht dallimeve politike dhe konflikteve në të kaluarën, ministrja Haxhiu në këtë vizitë ka përfaqësuar Institucionet e Kosovës.

“Ministrja Haxhiu dhe e gjithë Vetëvendosja kanë qenë kundër asaj gjykate por, nëse takimi realisht nuk ka ndodhur për shkak të konflikteve të përditshme politike është shumë e dhimbshme sepse znj. Haxhiu në këtë vizitë e ka përfaqësuar shtetin e Kosovës dhe një vizitë e tille do duhej mbajtur për imazhin e shtetit tonë”, është shprehur Raci.

Në anën tjetër sipas aktivistit politik, Avni Zogiani, Thaçi dhe Veseli do duhej t’i tejkalonin inatet personale sepse është interes i përgjithshëm përballja me Gjykatën Speciale.

“Të supozojmë se këta kanë pasur një hatër me ministren Haxhiu, por ky hatër në politikë gjithmonë është reciprok. Këtu njëra palë ka arritur t’i tejkalojë këto situata të luftës së brendshme politike për interes të një procesi më të rëndësishëm siç është përballja me Gjykatën Speciale. Inatet definitivisht nuk i kanë kaluar Thaçit dhe Veselit”, tha për Gazetën “Bota sot”, aktivisti Zogiani.

Image

Avni Zogiani

Ai ka thënë se askush më shumë se sa vet Vetëvendosja nuk e ka kundërshtuar themelimin e kësaj gjykate.

Prandaj sipas Zogianit ky refuzim është i pakuptimtë. “Ata do të kishin arsye për të mos u takuar vetëm nëse ajo në çfarëdo mënyre do të kishte kontribuar në themelin e kësaj gjykatë të padrejtë, por ne e dimë se Haxhiu dhe Vetëvendosje nuk ka asnjë borxh në lidhje me këtë proces. Përkundrazi askush në Kosovë s’ka bërë më shumë kundër kësaj gjykatë sesa Vetëvendosje dhe vetë ministrja Haxhiu. Prandaj, ky refuzim i tyre për tu takuar duket i pakuptimtë”, përfundon deklaratën e tij Avni Zogiani.

Përballjet e ministres aktuale të drejtësisë, Albulena Haxhiut, me Thaçin dhe sidomos me Veselin kanë qenë shumë të shpeshta, për faktin se Haxhiu si deputete ka qenë e zëshme ndaj vendimeve dhe politikave që përfaqësonin këta të fundit dhe partia e tyre. Vite më parë, ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, pati ofenduar deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxiu, duke i thënë “ma hongsh….”. E gjithë ngjarja kishte ndodhur gjatë një seance të Kuvendit, teksa tentohej që të hidhej në votim demarkacioni me Malin e Zi. Gjithcka pati filluar, pasi deputetja Haxhiu, e kishte quajtur Veselin, “kriminel”.