Para ca ditësh ndërroi jetë profesori, pedagogu, edukatori dhe mësuesi i vërtetë, i arsimit në gjuhën shqipe, pasi dergji një kohë relativisht të shkurtër nga një sëmundje e pashërueshme. Po, na la përgjithmonë profesori i kimisë, Burhanxhait Nebiu, profesor i gjimnazit “Zef Lush Marku”, një kohë edhe drejtor i saj, e në fund edhe ligjërues i kimisë inorganike në Akademinë Pedagogjike të dikurshme (tani Fakultet Pedagogjik). Humbëm njeriun shpirtmadh,shpirtmirë e zemërgjerë, njeriun fjalëpak e punëshumë, njeriun që bëri borxh secilin me sjelljen e tij njerëzore. U nda prej nesh për ta kryer obligimin e fundit ndaj vetes dhe ndaj Perëndisë, obligimin të cilit nuk mund t`i ikë askush. Me dinjiteti kreu të gjitha punët, po edhe këtë obligim të fundit, heshtur si të gjitha punët e tjera të kryera me nderë në edukimin dhe arsimimin e gjeneratave të reja dhe krijimin e kuadrit arsimor, me shumë vullnet, pa asnjë hile e pa aspak përtesë në kryerjen e obligimeve jetësore, dhe tani, edhe këtë të fundit e kreu heshtur në mënyrë dinjitoze.
Për njerëzit si profesor Burhani (kështu e quaja shkurtas) thuhet se kishin për se të lindnin. Të tillët nuk vdesin tërësisht, jo vetëm për atë se lanë pasardhës, por edhe për atë se ç`bënë, ç`punuan dhe çfarë veprash kanë lënë pas vetes.
Burhani la edhe pasardhës, tre fëmijë, të gjithë fakultetllinj, vajzën dhe dy djem, të gjithë punëtorë të vyer, të gjithë të punësuar që shërbejnë si shembull për çdo njeri. Ata janë më të edukuarit e lagjes Çair.
Profesori i nderuar plotësoi edhe kushtin e dytë, atë vendimtarin, për ta quajtur njeriun njeri me plot kuptimin e fjalës. I ndjeri i plotësoi të dy kushtet, la edhe pasardhës, po edhe vepër të madhërishme, vepër e cila ia bën emrin të pavdekshëm. Vepra e tij është mbi çdo gjë, vepra të cilën i ndjeri kurrën e kurrës nuk e përmendi, si njeri modest dhe i heshtur që ishte.
Kisha atë fat ta njohë për së afërmi shumë herët, unë si student i grupit matematikë-fizikë i Shkollës së Lartë Pedagogjike të atëhershme, e ai student i Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore, të cilin e mbaroi me kohë dhe me shumë lehtësi. Nëse shumë kolegë të tij në grupin e Kimisë dështuan vetëm për shkak të lëndës së matematikës, që ishte një lloj barriere për shumë student të tjerë, për Burhanin nuk kishte asnjë pengesë të përballej me vështirësitë e asaj lënde, për shkak të përgatitjes solide në gjimnazin e Tetovës, për punën e palodhur që bënte në përgatitjen e provimeve të parapara me programtë këtij grupi mjaft të rëndë, por edhe për një logjikë të shëndoshë që e kishte. Këtu rrallë kush që mund t’ia kalonte në këtë aspekt, e as në mbajtje mend të fakteve shkencore, ai ishte enciklopedi e gjallë.
Një ditë duke e bërë shëtitjen e rregullt të mëngjesit nga rrafshi i lagjes së Çairit –bregut të Gazi-Babës, vendosa t’i tregoj se edhe unë mbaj mend diçka nga ai kurs gjimnazi në lëndë të kimisë,prandaj ia tregova ligjin për ruajtjen e masës së kimistit të famshëm frëng Lavoazie(Asgjë nuk humbet, asgjë nuk krijohet, por vetëm transformohet). Po, e mbajtke mend, ma ktheu ai, mirëpo tani thonë se një pjesë e papërfillshme e saj (masës) humbet. Ma tregoi edhe vlerën se ajo është 10 (në minus 11), që do të thotë 1 e njëqindmiliardita pjesë e saj. Mirëpo edhe ajo pjesë e papërfillshme ndryshohet në energji, shtoi Burhani, prandaj ligji mbetet ende në fuqi. Për ta vazhduar bisedën lidhur me ndryshueshmërinë dola në fushë të gjuhës, duke i thënë se edhe ajo ndryshon vazhdimisht për t’u përkryer, mirëpo nëse nuk punohet në ruajtjen e saj. Po, tha miku im i shtrenjtë, ndodh edhe ajo të humb e tëra si organ i gjallë, nëse mbetet pa njerëz për ta përdorur, prandaj ajo duhet kultivuar si lulen. U pajtova plotësisht me shokun me të cilin shëtitja, e dikur luaja edhe shah.Nuk -di si do t’i kaloj këto ditë që më kanë mbetur pakëtë mik të madh.
I ndjeri Burhan, jetoi 82 vjet, 6 dekada në shekullin 20 dhe dy të tjera në shekullin 21, në një periudhë relativisht të gjatë, me një fillim të rëndë me shumë sfida, të cilat duhej t’i tejkalonin edhe shumë intelektualë këtu tek ne, në një periudhë në të cilën u hapërua me hapa të shpejtë dhe me të arritura të konsiderueshme. Në këtë periudhë suksesesh fillestare duhet t`i shohim edhe gjurmët e lëna të të ndjerit që janë mjaft evidente. Janë gjurmë që nuk fshihen lehtë, sepse janë skalitur në gurë mermeri dhe larë me shumë djersë e lot, si inxhinier i kimisë në fillim, pastaj si profesor i lëndës së Kimisë në gjimnaz, si drejtor i tij, e në fund edhe si profesor i Akademisë Pedagogjike, prej nga edhe u diferencua me shumë kolegë më të mirë në kohë të monizmit.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për ty, shok dhe koleg ndër më të mirët dhe më të edukuarit që kisha./Haki YMERI
Maqedoni IN MEMORIAM – Ndërroi jetë profesor Burhanxhait Nebiu