Imuniteti i tufës kundër korona virusit, ende larg

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se imuniteti i tufës kundër koronavirusit, nuk ka shumë të ngjarë të zhvillohet këtë vit, përkundër fushatave të vaksinimit që kanë nisur në disa vende.

“Edhe kur vaksinat të fillojnë t’i mbrojnë më të cenueshmit, ne nuk do të arrijmë nivele të imunitetit të popullsisë ose imunitetit të tufave në vitin 2021”, tha shkencëtarja e OBSH-së, Soumya Swaminathan.

“Edhe nëse kjo ndodh në disa vende, njerëzit në të gjithë botën nuk do të jenë të mbrojtur”, tha ajo.

Nga Evropa në Amerikë dhe Azi, virusi ka dalë të jetë i ashpër, pavarësisht masave të izolimit që synojnë frenimin e përhapjes së tij.

Për të arritur imunitetin e tufës, është i nevojshëm vaksinimi i 70 apo 80 për qind të popullsisë.

Në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara, fushatat e imunizimit janë duke ecur me ritëm të ngadalshëm, për shkak të furnizimeve të kufizuara me vaksina dhe sfidave logjistike.

Bashkimi Evropian, i cili ka një popullsi prej afro 450 milionë banorësh, ka blerë gati 2.3 miliardë doza nga gjashtë prodhues vaksinash.

Megjithatë, vetëm dy vaksina, Moderna dhe Pfizer/BioNTech, janë të miratuara tash për tash.

Koronavirusi ka prekur mbi 90 milionë njerëz në të gjithë botën.

Prej tyre, mbi 1.9 milion kanë humbur jetën, ndërsa mbi 50 milionë janë shëruar.

Shtetet e Bashkuara janë vendi më i prekur në botë, me mbi 22.6 milionë të infektuar dhe mbi 376,000 viktima.

Në Evropë prin Mbretëria e Bashkuar me mbi tre milionë të infektuar dhe mbi 82,000 viktima.