Imrane Veliu Aliu i përgjigjet Presidentes: “Një shtëpi ku njëri ndihet pronar e tjetri mysafir, nuk është shtëpi e përbashkët”

Imrane Veliu Aliu ka reaguar ndaj deklaratës së sotme të Presidentes së Maqedonisë së Veriut, e cila tha se “askush tjetër nuk do të na e rregullojë shtëpinë përveç nesh vetë”, duke ngritur pikëpyetje se çfarë nënkuptohet me “shtëpi” dhe nëse të gjithë qytetarët ndihen njësoj pjesë e saj.

“Cilën shtëpi, zonja Presidente? Sepse para se të na kërkoni ta rregullojmë shtëpinë, ndoshta duhet të biem dakord së pari kush jeton në të dhe kujt i përket ajo”, shkruan Veliu Aliu.

Ajo i rikujton Presidentes sloganin e përdorur para zgjedhjes në këtë detyrë, “Да ја направиме Македонија повторно твоја” – “Ta bëjmë Maqedoninë përsëri tënden”, si dhe fjalën “Горда” – “Krenare”.

“Dhe sot, pas gjithë kësaj kohe, dhe ku na dërgoi ajo ‘ftesë’, më falni, Presidente, por kam një pyetje shumë të thjeshtë: ГОРДИ НА ШТО, ПРОФЕСОРКЕ? Krenare për çfarë, profesoreshë?”, shprehet ajo.

Veliu Aliu liston një sërë problemesh që, sipas saj, e bëjnë të diskutueshme idenë e një “shtëpie” të përbashkët.

“Për cilën shtëpi po flasim? Për atë ku nxënësit ende mund të mbeten pa libra? Për atë ku mbyllen klasa në gjuhën shqipe? Për atë ku një fëmijë duhet të rritet duke e ndier gjuhën e vet si çështje për të cilën dikush duhet të negociojë?”, pyet ajo.

Në reagim përmenden edhe problemet në shëndetësi, largimi i të rinjve dhe çështja e përfaqësimit të barabartë.

“Për atë ku të rinjtë nuk pyesin më ‘çfarë do të bëhem këtu?’, por ‘ku do të shkoj?’ Për atë ku përfaqësimi i barabartë ende duhet të dëshmohet me numra, lista dhe përqindje?”, shkruan Veliu Aliu.

Ajo kritikon gjithashtu mënyrën se si trajtohet çështja e grave, duke thënë se një shtet nuk duhet të jetë krenar vetëm për gratë që arrijnë sukses pavarësisht pengesave, por edhe për një sistem që krijon mundësi të barabarta.

“E nderuara profesoreshë, më lejoni t’ju pyes, a nuk duhet një shtet të jetë krenar jo vetëm për gratë që arrijnë të ngrihen pavarësisht sistemit, por edhe për një sistem që u krijon mundësi grave të mos kenë nevojë të luftojnë dyfish për të dëshmuar vlerën e tyre?”, shprehet ajo.

Në pjesën tjetër të reagimit, Veliu Aliu thekson se Maqedonia e Veriut nuk mund të ndërtohet si “shtëpi” e përbashkët nëse një pjesë e qytetarëve vazhdon të ndihet si mysafir.

“E kujt është kjo shtëpi, zonja Presidente? E jotja? Po, pastaj e kujt tjetër? E maqedonasve? Po. E shqiptarëve? Po. E turqve? Po. E romëve? Po. E boshnjakëve? Po. E serbëve? Po. E vlehëve? Po”, shkruan ajo.

Sipas saj, toka nuk duhet të trajtohet si pronë e një etnie, ndërsa shteti nuk mund të shihet si pronë e shumicës.

“Ashtu siç shtëpia nuk është shtëpi vetëm për atë që mban çelësin”, thekson Veliu Aliu.

Ajo thotë se shqiptarët kanë arritur sukses në shumë fusha, por se ende përballen me nevojën për të dëshmuar se janë “të mjaftueshëm” për gjuhën, institucionet, përfaqësimin dhe barazinë.

“Kanë arritur edhe atje ku dikur dukej e pamundur. Vetëm në shtëpinë e tyre ende duhet të dëshmojnë se janë të mjaftueshëm. Të mjaftueshëm për gjuhën, institucionin, përfaqësimin, të mjaftueshëm për dinjitetin. Të mjaftueshëm për barazinë”, shkruan ajo.

Në fund, Veliu Aliu thotë se është dakord me idenë se “shtëpia” duhet të rregullohet nga vetë qytetarët, por thekson se kjo nuk mund të bëhet vetëm me slogane dhe simbole.

“Po, ne duhet ta rregullojmë vetë, por fillimisht duhet të vendosim një gjë: kjo shtëpi nuk mund të jetë ‘e jotja’ vetëm në slogan. Duhet të jetë e jona në jetën reale”, shprehet ajo.

“Sepse një shtëpi ku njëri ndihet pronar e tjetri mysafir, nuk është shtëpi e përbashkët. Është vetëm një ndërtesë ku njerëzit jetojnë bashkë”, përfundon Veliu Aliu.

Ajo propozon edhe një tjetër mesazh për bashkëjetesën dhe të ardhmen e vendit: “Заедно во различноста, силни за заедничката иднина” – “Së bashku në dallimet tona, të fortë për të ardhmen tonë të përbashkët”. Gazeta Flaka