Imeri: Ju e dini që jeni të pashpresë në këtë betejë!

Kandidati i pavarur për zgjedhjet në Dibër, Ramadan Imeri, reagoi sot ndaj fletërrufeve që po shpërndahen nga disa prej kundërshtarëve të tij politikë, të cilat sipas tij synojnë të diskreditojnë imazhin e tij.

Në një deklaratë të shpërndarë për media, Imeri shprehu habinë ndaj përpjekjeve për t’i ngarkuar atij fajin për veprime që i quan “të ulëta e të pamoralshme”. “E kuptoj se edhe ju e dini që jeni të pashpresë në këtë betejë, por të paktën mos e nënvlerësoni inteligjencën e qytetarëve dibranë, sepse dibrani as blihet, as shitet,” tha ai.

Më poshtë shkrimi i plotë i Imerit:

Ndjehem i habitur nga fakti se disa prej oponentëve të mi politikë kanë filluar të shpërndajnë fletërrufe, me synimin e qartë për të përbaltur kundërshtarin e tyre ,që në këtë rast jam unë.
E kuptoj se edhe ju e dini që jeni të pashpresë në këtë betejë, por të paktën mos e nënvlerësoni inteligjencën e qytetarëve dibranë, sepse dibrani as blihet, as shitet.

Ato që përpiqeni, në mënyrë të ulët e të pamoralshme, t’i bëni vetë por nuk ju ecin, mundohemi t’ia ngjisni dikujt tjetër, në këtë rast, mua.
Por ta dini mirë: unë, Ramadan Imeri, as nuk blej, as nuk shes vota. Këtë ta keni shumë të qartë.

Ju, që përmes makinacioneve tuaja po përpiqeni të frikësoni një qytet të tërë me autoblinda policie e ushtrie, dijeni se, përveçse do të humbni, do të dilni edhe të turpëruar.
Sepse ju vetë bini në grackën tuaj, duke menduar se të gjithë veprojnë si ju ,por gaboheni rëndë.

Ndaj, mos humbni kohë me ëndrra të kota dhe mos u merrni me punët e të tjerëve.
Dilni në terren dhe përballuni me njerëzit, tregoni çfarë keni bërë vetë, në vend që të shpifni e trilloni gjëra që as nuk ju nderojnë, as nuk ju përkasin.

Unë jam Ramadan Imeri, dhe nuk merrem me fjalë boshe.
Këtë mbajeni mend. Këshilla ime është e thjeshtë:
mos u merrni me mua dhe me njerëzit e mi, sepse çdo sulm i juaji më bën vetëm më të fortë.

Edhe ne e dimë, dhe ju e dini – fitorja është e jona.