Deputetja e VLEN, Saranda Imeri Stafai në emisionin në Alsat-M, kushtuar zgjedhjeve të sotme lokale në komunat e Gostivarit dhe Vrapçishtit, ka komentuar deklaratën e Arben Taravarit i cili kërkoi zgjedhje të parakohshme parlamentare gjatë këtij viti.
Sipas Imerit, një strategji e tillë e opozitës ka qenë që nga fillimi i formimit të kësaj qeverie, pati paralajmërime se në nëntor do ketë qeveri të re, ja edhe tani se në prill dhe qershor do kemi zgjedhje të parakohshme.
“Z. Taravari nuk është faktor relevant më që të përcaktojë se a do ketë zgjedhje të parakohshme. Është mirë që pushteti të ndahet, jo të kemi pushtet totalitar, pse jemi në qeveri dhe pushtet t’i kemi të gjitha komunat. Kjo është mirë për demokracinë dhe na bën më vigjilent”, tha Imeri.
AKI ka rënie të votuesve në Gostivar, VLEN ka rritje
Me sa shoh, shton ajo Valbon Limani ka rënie të votuesve, kurse VLEN ka rritje të votuesve dhe kjo është një indikator.
“Por, edhe krahas fitores që ka marrë Valbon Limani, është evident keqmenaxhimi i komunës për tetë vitet e kaluara, kemi një borxh enorm, nuk funksionojnë institucionet”, tha ajo.
Sipas Imerit, Arben Taravari edhe në zgjedhjet e vitit 2017 dhe 2021 ka fituar me votat e maqedonasve dhe komuniteteve që jetojnë në Gostivar.
Ali Ahmeti bëri thirrje për ta votuar Ivanovin
“Nëse e zgjerojmë temën më tepër, kemi pasur raste kur Ali Ahmeti na ka bërë thirrje që të dalim të votojmë kandidatin për kryetar shteti, kur është ndërruar Kodi zgjedhor dhe censusi për zgjedhje të kryetarit të shtetit ku nga 50 është rrëzuar në 40 për qind dhe kishim thirrje direkte nga Ali Ahmeti për të votuar kandidatin e VMRO-së apo Gjorgje Ivanovin për kryetar shteti”, tha deputetja e VLEN.
Ajo kujton se kemi pasur institucione me rëndësi ku janë zbatuar politika të VMRO-së që pushtetin ua kishte dhënë pikërisht z. Taravari.
“Dhe kur flasim për legjitimitetin e kandidatëve që fituan komunat, duhet të kemi parasysh edhe historinë se si ka qenë më parë dhe si tani”, tha ajo.
Imeri tha se nuk mban teza e Jeton Shaqirit nga BDI se opozita ka fituar në kampin shqiptar në zgjedhjet lokale, kurse në ato parlamentare siç tha, “aty as që kanë legjitimitetin si opozitë, sepse e dinë se kanë koalicionuar me 9 parti politike dhe 4 komunitete”.
E sa i takon këshillit në Strugë, shton Imeri, është bërë zgjidhje e duhur, sepse janë zhbllokuar proceset, pasi është dashur të miratohet buxheti”.




