Ilir Shaqiri për nënën e ndjerë: La shtëpinë plot, dëshirat e saj u plotësuan

Më datën 13 ka ndërruar jetë nëna e Ilir Shaqirit.

Lajmin e trishtë e kishte ndarë ai para disa ditësh në llogarinë e tij në Facebook, aty ku tani së fundmi ka bërë edhe një tjetër postim ku i ka falënderuar të gjithë ata që e ngushëlluan.

Iliri ka theksuar se nëna e tij ka shkuar duke e lënë shtëpinë plot dhe se dëshirat e saj janë plotësuar.

Statusi i plotë i këngëtarit:

Të dashur miq!Në këto ditë dhembjeje për mua dhe familjen time, shpreh mirënjohjet dhe falënderimet tona për ju, që patët mirësinë të merrni pak nga pak nga dhembja jonë!
Dhembja për ne është e madhe, por edhe ngushëllimi juaj për ne është i madh. Them kështu sepse nënat tona, të frymëzuara nga urtësia popullore, na e kanë përsëritur sa e sa herë se: Krahët e njeriut janë miqtë, ata që të bëjnë të ngrihesh, ata që s’të lënë që të biesh.
Nëna ime u lind 4 tetor, 1939, në Vitak të Drenicës, mbesë e Ahmetajve të Radishevës, u martua në Burojë dhe krijoi një familje të madhe.
U nda nga jeta me 13 qershor, 2020, duke lënë pas shtëpinë plot, me dëshirat e saj të plotësuara.
Ne pasardhësit e saj, për sa kohë të jemi në këtë botë, do ta kujtojmë dashurinë e saj, udhëzimet e saj, porosinë e përhershme të saj, se: Njerëzit, nivelet e tyre i renditë edukimi, shkolla dhe puna e tyre në shërbim të së mirës, në shërbim të së vërtetës.
Ky është ngushëllim i madh për ne: bijtë e saj, bijën e saj, rejat e saj, nipërit e stërnipërit e saj, mbesat e stërmbesat e saj.Në emër të 42 trashëgimtarëve të saj, mirënjohje pafund juve miq të ndëruar të familjes sonë, Shaqiri!..