IHK: Situata meteorologjike pritet të stabilizohet

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHK) thotë se pas ndërprerjes së reshjeve të shiut, që prej pasdites të së hënës, në të gjithë lumenjtë e Kosovës tendencat e niveleve të ujit janë në rënie.

Përmes një njoftimi për media, IHK-ja thotë se pas vërshimeve të shkaktuara, nga reshjet e shiut dhe borës në ditët në vijim situata “pritet të stabilizohet gradualisht”.

“Lumenjtë kryesorë të Kosovës, gjatë orëve dhe ditëve në vijim, parashikohet të kenë rënie dhe gradualisht ata do të kthehen nëpër shtretërit e tyre. Kësaj i paraprinë situata e përgjithshme meteorologjike e cila pritet të stabilizohet gradualisht, duke filluar nga dita e sotme, e cila do të vazhdojë deri më datë 13/01/2021, ku përsëri do të kemi reshje të herëpashershme shiu dhe bore të intensitetit më të ulët dhe me karakter lokal. E cila situatë mendojmë që nuk do të ketë më pasoja nga vërshimet”, thotë IHK-ja.

Në ditët e fundit, për shkak të reshjeve të shiut dhe borës, disa pjesë të Kosovës u përballën me vërshime. IHK-ja ka thënë se rajoni më i goditur ka qenë Rrafshi i Dukagjinit.

Autoritetet qendrore të Kosovës kanë thënë se do të evidentojnë të gjitha dëmet materiale të shkaktuara në pronat private dhe publike.