“Idrizova” ende pa iniciativë konkrete për amnisti të të dënuarve

Burgu i Idrizovës ende nuk e ka dorëzuar iniciativën për shkurtimin e dënimeve deri në 20% për të burgosurit me qëllim shkarkimin e burgjeve nga mbingarkesa, temë e cila u hap shkaku i mungesës së kapaciteteve dhe kushteve të tmerrshme në hapësirat e burgut. Drejtori i burgut Zoran Jovanovski për Alsat shkurt vetëm u përgjigj se ende po punohet në iniciativën.

Ndonëse për momentin është vetëm si ide e jo si iniciativë konkrete, e njëjta ende nuk ka marrë mbështetje. Kryeministri Hristijan Mickoski, shkurt tha se do ta shqyrtojnë pasi të dorëzohet.

“Nuk di për ide të tillë, kur ta dorëzojnë do ta komentojmë”, u shpreh shkurtimisht, kryeministri Mickoski.

Nga Ministria e Drejtësisë dje për Alsat thanë se si institucion, do të veprojnë në kuadër të kompetencave ligjore, legjislacionin në fuqi dhe procedurat përkatëse. Ndërkaq drejtori i Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve është shprehur se nuk po planifikohet për momentin amnisti.

Ideja e drejtorit të Burgur të Idrizovës, burg me kapacitet prej rreth 1800 personash, është që të dënuarit të falen nga 10 deri në 20% të dënimit të përgjithshëm, me çka gradualisht do të ulej numri i të burgosurve. Ligji i fundit me të cilin parashihej amnisti më e përgjithshme ishte sjellë në vitin 2018, pikërisht për shkak të mbingarkesës. Në ligj nuk ishin përfshirë personat që janë dënuar për vrasje, përdhunim, terrorizëm, vepra penale kundër shtetit, mashtrime zgjedhore dhe vepra kundër njerëzimit. Amnisti pati edhe në vitin 2023 por vetëm për personat që ishin gjobitur për mos respektim të masave kundër epidemisë Covid 19.

Derisa të zgjerohen kapacitetet, të burgosurit vazhdojnë të vuajnë dënimet në kushte çnjerëzore, të cilat krahas problemit të akomodimit ndikojnë edhe në marrëdhëniet sociale mes tyre. Komisioni Evropian, në raportin për Maqedoninë e Veriut për vitin 2025, kërkon përmirësim urgjent të kushteve të burgimit dhe përdorim më të gjerë të alternativave ndaj burgimit, respektivisht probacionit./Alsat.mk