“Idrizova”, burgu ku bashkë me nënat dënohen edhe fëmijët e tyre (VIDEO)

Femrat që vujanë dënime në burgjet e Maqedonisë së Veriut, ankohen se vuajnë dënim të dyfishtë. Për shkak të kushteve të rënda që mbretërojnë, ato ankohen se burgjet nuk e arysetojnë emrin e plotë zyrtar si “ente për përmirësim dhe ndëshkim”, por vetëm pjesë e dytë të emrit, ose siç thonë, janë ente vetëm për ndëshkim, shkruan gazeta LAJM. Gjendja e vështirë në burgjet e Maqedonisë përmendet nëtë gjitha raportet relevante të organizatave vendore dhe ndërkombëtare që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Idrizova, burgu ku bashkë me nënat dënohen edhe fëmijët e tyre (VIDEO)

Idrizova, burgu ku bashkë me nënat dënohen edhe fëmijët e tyre (VIDEO)

Posted by Lajm TV on Friday, January 17, 2020

Një nga problemet që është konstatuar në Raportin që Avokati i Popullit ka përgatitur në vitin 2016 enkas për repartin e grave në burgun e Idrizovës, si një nga problemet e shumta është përmendur edhe mungesa e një hapësire të veçantë për takime mes nënave dhe fëmijëve të tyre. Ky problem ende nuk është tejkaluar. Suzana Xhanoviq, nënë e katër fëmijëve e cila është duke vuajtur dënim 15 vjeçar në Idrizovë, thotë se gjendja në burg është edhe më e keqe se sa përshkruhet në raporte. Ajo ka pranuar të flasë me ekipin e Gazetës Lajm që ka vizituar burgun e Idrizovës. Xhanoviq thotë se për shkak të kushteve jo adekuate për realizim të takimeve me fëmijët, është detyruar t’i ndëprejë këto takime në 6 muajt e fundit. Ajo thotë se çdo takim ishte një torurë për fëmijët e saj, veçanërisht për njërën vajzë që e ka të sëmurë nga kanceri.

Suzan Xhanoviq, e arrestuar në burgun e Idrizovës: 

“Takimet me fëmijët realizohet në dhomat e vizitave. Kur futen aty fëmijët kontrollohen, kalojnë torturë, tërheqje, qarje, zhveshje deri në lëkurë. Unë kam katër fëmijë. Tani i kam ndërpre takimet pikërisht për këtë shkak. Njërën vajzë e kam të sëmurë nga kanceri. Nuk dua ta trondit edhe me tepër. Kur dilnin, më keq se kur hynin. Bërtisnin, qanin, ankoheshin se nuk duan të vijnë më. Dhjetë vitet e kaluara vinin, në këto hapësira, sado pak ishin më adekuate, ishin më të bukura. Tani jo. Tani nuk ka kushte as për vizitë të rregullt të kalojë si duhet, e lëre më për diçka tjetër. Nuk shikohet se kush ta kontrollon fëmijën, mashkull, femër, e zhveshin cullak, e heqin zvarrë, e gërvishin. Ata qajnë, këta i tërheqin. Fëmijët e mi kanë dhënë deklaratë se nuk dëshirojnë të vijnë më në vizitë. Nuk dëshirojnë të vijnë, sepse i maltreton personeli, në bazë korruptive. Nuk e kam vetëm unë këtë problem, ka edhe shumë gra tjera. Nuk mund të vish deri te kjo e vërtetë, përveç nëse nuk takohesh ballë për ballë në realitet me to. Çkado që të them, çkado që të bëj, do të kthehet kundër meje, por edhe kundër shumë femrave”.

Ajo ankohet edhe për kushtet e përgjithshme në burg, duke shtuar se kushtet janë katastrofike dhe asgjë nuk është në bazë të asaj që parasheh ligji, ose rendi shtëpiak i burgut.  Secili gjendet si mundet, edhe atë që e pranojmë nga familja edhe ajo na ndalohet. Nuk ka mjete të mjaftueshme për higjienë, nuk ka ujë, nuk ka asgjë që mund ta ruajë shëndetin.

Suzan Xhanoviq, e arrestuar në burgun e Idrizovës:

Unë personalisht jam futur e shëndoshë, jam e dënuar me dënim 15 vjeçar, kam vuajtur dhjetë, tani jam në vitin e njëmbëdhjetë. Siç kam ditur, ashtu jam gjendur. Ka femra që kanë hepatit B, C, femra që kanë HIV, femra që kanë plagë në trup dhe në vend se të trajtohen, ato rrihen. Ato femra nuk kanë kurrfarë kushte, para ca kohe na e kan ndërprerë të gjitha mjetet e mundshme që mund t’i shfrytëzojë një femër, parfume, dezodoranse, faculeta të lagëta, zhele intime, gjithçka që na duhet. Jemi lënë të gjendemi vetëm. Kemi kantinë, por aty bëhet larje e parave, çmimet janë dyfish. Prej 24 orëve, vetëm një orë një orë e gjysëm kemi ujë.

Ajo është në burg tani e 10 vite. Shprehet se nuk ka përmirësime, por se gjithçka po shkon kah e keqja. Insiston që gjithçka që tregohet në opinion, nuk është as 10 për qind nga e vërteta dhe se gjithçka është rrenë dhe marketing. Megjithatë thekson që deri diku është ambientuar me kushtet e rënda që të burgut.  Por një gjë me të cilën nuk mund të ambientohet, është mungesa e fëmijëve.

Suzan Xhanoviq, e arrestua rnë burgun e Idrizovës:

Nuk dua që fëmijët t’i eksponoj në torturë. Dua të jenë afër meje, por jo në këtë mënyrë. Si e para, unë humbi kontakt me fëmijët, e dyta fëmijët shikojnë diçka që nuk duhet të shikojnë, disa gjëra nuk mundem tua sqaroj.  Dua kontakte më të shpeshta. Dua që fëmijët e mi të jenë më të qetë kur më vizitojnë, të munden të vrapojnë rreth meje, të mundem të luaj me ta. Dua të jem vetëm me ta, dëshiroj të munden të më tregojnë gjithçka.

Enti për përmirësim dhe ndëshkim “Idrizovë” është enti i vetëm në të cilin gjendet edhe reparti për femra, respektivisht që posedon hapësira të posaçme ku femrat në nivel shtetëror vuajnë dënimin me burg, por edhe masën e paraburgimit. Kushtet në Entet për ndëshkim dhe përmirësim janë në fokus të monitorimit të vazhdueshëm nga ana e Avokatit të Popullit, duke pasur parasysh se ka kompetenca të veprojë edhe në bazë të parashtresës nga ana e femrave të arrestuara që gjenden në këtë burg, por edhe pa paralajmërim.  Vaska Bajramovska, zëvendëse e Avokatit të Popullit, thotë  për gazetën Lajm se ajo që alarmon ky institucion në raportet e veta vjetore, por edhe në raportet që i bën nga vizitat e veçanta, është se kushtet në repartin e burgut për femra, por edhe në përgjithësi, janë të pakënaqshme. Duke u bazuar në raportin e vitit 2016, Bajramovska nuk ngurron të thotë se përveç kushteve të pakënaqshme, ka tregues edhe për trajtim johuman dhe jonjerëzor.

Vaska Bajramovska, zyra e Avokatit të Popullit në Maqedoninë e Veriut: 

Nëse merret parasysh qëllimi i sanksionit, respektivisht dënimit për person që bën një vepër penale, ajo ka element përmirësues, respektivisht ta dënojë autorin e veprës, por edhe ta përmirësojë, që kur të dalë të adaptohet në shoqëri dhe të mos e përsëris më veprën. Nëse e shikojmë në mënyrë të përgjithshme gjedjen, si në aspektin e kapacitetit shëndetësor, arsimor, kushtet, mundësitë për realizimin e të drejtave të garantuara me marrëveshjet ndërkombëtare, por edhe me ligjin për zbatimin e sanksioneve, do të themi se duhet të punohet shumë që të mundet që personi, femra, me rastin e hyrjes në Entin ndëshkues përmirësues ta pranojë dënimin për veprën e kryer, por edhe të pranojë se atëherë kur do të dalë nga Enti, do të ketë vullnet t’i kthehet jetës normale, respektivisht të mos bëjë vepër të re penale dhe sërish të kthehet në burg. Duke pasur parasysh se shumë prej grave janë nëna, bashkëshorte, pa marrë parasysh nëse janë në bashkësi martesore ose jashtëmartesore, e nga ana tjetër duke pasur parasysh që kontaktet me familjen, kontaktet me të afërmit, me fëmijët e tyre ndikojnë në masë të madhe në ndryshimin e sjelljes dhe në tendencën për të përmirësuar sjelljen kur të dalë në liri, me rëndësi është që të krijohen kushte dhe paradispozita që të arrestuarat në mënyrë të papenguar të realizojnë kontaktet me familjen e afërt, gjë që në mënyrë pozitive mund të kontribuojë për ndryshimin e qasjes së saj edhe ndaj dënimit por edhe ndaj lirisë pas daljes nga enti për ndëshkim dhe përmirësim.

Edhe në raportet e Avokatit të Popullit theks i veçantë vendoset te mungesa e kushteve adekuate për takim të nënave që vuajnë dënim me burg, me fëmijët e tyre.

Vaska Bajramovska, zyra e Avokatit të Popullit në Maqedoninë e Veriut: 

Nëse 68 gra të dënuara nga gjithsej 96, janë nëna që kanë fëmijë, nga një deri 7 fëmijë, kurse nga ana tjetër mund të konstatohet se takimi me fëmijët, posaçërisht me fëmijët e moshës së mitur, realizohen te dhoma për vizita ose te hapësira që është për avokat, nga shkaku që nuk ka hapësirë të veçantë për atë qëllim, atëherë është i qartë konstatimi i Avokatit të Popullit dhe rekomandimi se pse kërkojmë që në entet për ndëshkim dhe përmirësim në nivel të shtetit, të ketë hapësirë të veçantë të përgatitur për këtë qëllim. Posaçërisht është e rëndësishme të kemi parasysh që edhe në korniza ndërkombëtare bëhen tentime që ai kontakt, mes nënës dhe fëmijëve të mos ndërpritet, me përjashtim të rasteve kur organi kompetent do të vlerësojë me vendim të posaçëm, që në interes të fëmijës është që të mos shihet me nënën. Fëmijës duhet t’i qaset me vëmendje të veçantë, me theks të veçantë se si të përgatitet për takim me një prind që gjendet në hapësirë ndryshe. Fakti që fëmiu hyn në entin për ndëshkim dhe përmirësim, ku ka regjim të posaçëm të kontakteve dhe vizitave, fëmijë që ndoshta për herë të parë do të duhet të shohë parmakë të mbyllur, persona të uniformuar,  prindin duke dalë në mënyrë ndryshe se si bëhet në liri në familje. E gjithë kjo alarmon se duhet të krijohen kushte, të bëhet siç thonë anglezët një ambient i rrethuar miqësor për fëmijën, që do të jetë hapësirë e pajisur me vizatime, me lojëra, që do të asocojë me një dhomë familjare, ku nëna do të mundet ta realizojë takimin në kohëzgjatje që do të caktohet nga qendra për punë sociale dhe të jetë kohë kualitative dhe e frytshme për fëmiun.

Nga zyra e Avokatit të Popullit thonë se ekziston gatishmëri e pjesërishme për pranim të vërejtjeve dhe përmirësim të kushteve në burgje. Kur bëhet fjalë për parashtresat individuale që i bëjnë të arrestuarit, një pjesë e madhe e vërejtjeve pranohen. Mirëpo kur bëhet fjalë për konstatime dhe rekomandime të përgjithshme, shumë prej tyre përsëriten nga viti në vit, veçanërisht ato që kërkojnë investim të mjeteve. “Në ato raste kemi pak më të vështirë veprim, respektivisht ndërmarrje të masave, që në njëfarë mënyre ndoshta është e pranueshme, sepse kërkojmë renovim të objekteve, renovim të hapësirave, kërkojmë pajisje adekuate të tyre, ndonjëherë kërkojmë zgjerim të enteve për ndëshkim dhe përmirësim dhe ndërtim të objekteve të reja, në pajtim me normat ndërkombëtare”, theksojnë nga zyra e Avokatit të Popullit./Gazeta LAJM

Gazetarë: Senehate Nimani, Isen Saliu

Operator: Amir Idrizi