Debati për anëtarësimin e vendeve kandidate në Bashkimi Evropian pa të drejtë vetoje po merr hov në Evropë, por mbetet i pasigurt. Gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ), përmes korrespondentit të saj për Evropën Lindore, Michael Martens, analizon reagimet dhe dilemat rreth kësaj ideje.
Sipas FAZ, pas deklarimeve të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučić, dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për mundësinë e anëtarësimit edhe pa të drejtë vetoje, reagime pati edhe nga Gjermania. Deputeti i të Gjelbërve dhe kryetar i Komitetit për Çështje të BE-së në Bundestag, Anton Hofreiter, si dhe deputeti i CDU-së, David Preisendanz, u përfshinë në debat.
Preisendanz vlerësoi se diskutimi për alternativa ndaj anëtarësimit të plotë – përfshirë modelin pa veto – “po lëviz në drejtimin e duhur”. Sipas tij, duhet braktisur logjika bardh e zi “brenda ose jashtë”, e cila, siç tha, e ka mbajtur Ballkanin Perëndimor para dyerve të BE-së për më shumë se 20 vjet. Ai theksoi se ndikimi i Rusisë dhe Kinës në rajon e bën situatën gjeopolitikisht të rrezikshme.
Deputeti gjerman propozon një qasje fazore: vendet që përmbushin reformat kyçe të integrohen hap pas hapi, duke nisur me qasje në tregun e përbashkët. Megjithatë, ai shtoi se për Serbinë aktualisht kjo nuk është në rend dite, duke përmendur regres në sundimin e ligjit dhe dobësim të pavarësisë së gjyqësorit. “Pa korrigjim kursi, Serbia nuk ka bazë për perspektivë serioze anëtarësimi – me ose pa veto”, deklaroi ai.
Edhe ministri i Jashtëm i Bosnje dhe Hercegovinës, Elmedin Konaković, e quajti idenë “fenomenale”. Ai tha se edhe pa të drejtë vote, nëse vendi do të pranohej në BE, kjo do të ishte e dobishme, sidomos për arsye ekonomike, pasi mbi 70% e eksporteve të vendit shkojnë në BE. Sipas tij, integrimi do të sillte investime, rritje pagash dhe standardi jetese, si dhe do të ndihmonte në mbajtjen e të rinjve në vend.
Ndërkohë, presidenti francez Emmanuel Macron ka paralajmëruar prej vitesh se zgjerimi me vende të reja që kanë të drejtë vetoje mund të bllokojë procesin e vendimmarrjes në BE.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi për FAZ se qeveria e tij nuk ka marrë asnjë propozim zyrtar për anëtarësim pa veto dhe se nuk dëshiron të japë vlerësime të parakohshme. Ai theksoi se vendi ka mbetur për një kohë të gjatë para dyerve të BE-së, pavarësisht përmbushjes së shumë kritereve, duke e cilësuar procesin si të padrejtë.
FAZ në përfundim thekson disa çështje kyçe:
• Reagimet e forta në rajon tregojnë zhgënjimin e thellë me retorikën tradicionale të zgjerimit.
• Shpesh ngatërrohen konceptet: anëtarësimi pa veto, qasja në tregun e përbashkët dhe integrimi gradual janë modele të ndryshme me pasoja të ndryshme.
• Tregu i përbashkët nuk është thjesht zonë e tregtisë së lirë; ai kërkon përmbushjen e plotë të kritereve politike të Kopenhagës – demokraci funksionale, sundim të ligjit, të drejta të njeriut dhe mbrojtje të pakicave.
Sipas analizës, mbetet e paqartë nëse vendet e Ballkanit Perëndimor i përmbushin këto kushte dhe nëse vetë shtetet anëtare të BE-së do ta pranonin një model të tillë alternativ.
“Po, ideja për qasje në tregun e përbashkët ose anëtarësim pa veto mund të dështojë. Por një gjë është e sigurt: zgjerimi aktual, i bllokuar që nga viti 2013, tashmë ka dështuar”, përfundon analiza e FAZ.



