Ibri s’është ping-pong: Rama e Vuçiqi luajnë, Kosova rrezikon!

Kur Kosova kërcënohet me ujë, Tirana dhe Beogradi merren me njëri-tjetrin

Shkruan: Fejzi HAJDARI

Ka diçka thellësisht shqetësuese në mënyrën se si po zhvillohet debati i fundit për lumin Ibër dhe Ujmanin.
Jo vetëm për shkak të deklaratës së Aleksandar Vuçiqit se Serbia po shqyrton mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit, por edhe për shkak të asaj që pasoi: në vend që vëmendja të përqendrohej te siguria ujore e Kosovës, statusi i Ujmanit dhe pasojat e mundshme të çdo ndërhyrjeje në rrjedhën e lumit, debati u kthye në një ping-pong politik ndërmjet Tiranës dhe Beogradit.
Dhe kjo është pikërisht ajo që nuk duhet të ndodhë. Lumi Ibër s’ është pronë e retorikës së Vuçiqit. Ujmani nuk është pronë e propagandës së Beogradit.
Dhe Kosova nuk mund të shndërrohet në topin me të cilin Edi Rama dhe Aleksandar Vuçiqi, shkëmbejnë pikë politike.

Vuçiqi e di se nuk është duke ndryshuar një kanal uji në oborrin e shtëpisë

Ndryshimi i rrjedhës së një lumi ndërkufitar, nuk është vendim që merret me një deklaratë televizive. Nuk është as një punë që mund të bëhet me një eskavator dhe disa kamionë.
Ka pasoja juridike, mjedisore, politike dhe ndërkombëtare.
Prandaj, kur presidenti i Serbisë e hedh në publik një ide të tillë, pyetja e parë nuk duhet të jetë: Çfarë i tha Rama Vuçiqit?
Pyetja duhet të jetë: Çfarë po planifikon Serbia dhe çfarë do të bëjë Kosova dhe bashkësia ndërkombëtare nëse kjo ide kalon nga propaganda në projekt?
Kjo është çështja.
Por, pikërisht këtë pyetje po e dëgjojmë shumë më pak. Në vend të saj, kemi një spektakël politik Rama–Vuçiq.

“Kosovën e keni humbur” – kujt po i flitet?

Tirana del me formulime që tingëllojnë si triumf ndaj Beogradit:
“Kosovën e keni humbur.”
Por kujt i drejtohet kjo fjali? Nëse i drejtohet Serbisë, atëherë duhet të vijë pyetja pas saj:
Mirë, nëse e keni humbur Kosovën, çfarë po bëni konkretisht për ta mbrojtur Kosovën nga çdo kërcënim ndaj territorit, ujërave dhe infrastrukturës së saj strategjike?
Nuk mjafton t’i thuash Beogradit se “e ka humbur Kosovën”.
Kosova nuk është trofe politik.
Kosova ka institucione, territor, qytetarë, lumenj, liqene, hidrocentrale dhe burime ujore.
Dhe, Ujmani është një prej tyre.
Prandaj, kur kërcënohet një burim kaq strategjik, Shqipëria duhet të flasë për Kosovën, jo vetëm për marrëdhënien Rama–Vuçiq.

Beogradi përgjigjet: “Serbia s’e pyet Shqipërinë”

Edhe Beogradi, natyrisht, e ka gjetur formulën e vet propagandistike:
“Serbia nuk e pyet Shqipërinë për Kosovën.”
Por ky është një tjetër devijim i debatit.
Askush nuk duhet ta pyesë Serbinë për atë që mendon Shqipëria.
Dhe Shqipëria nuk duhet të sillet sikur duhet të marrë leje nga Serbia për të folur për Kosovën.
Por problemi konkret është tjetër:
Ibri rrjedh nëpër Kosovë. Ujmani është në territorin e Kosovës. Çdo ndërhyrje që mund të prekë sigurinë ujore të Kosovës, është çështje që prek drejtpërdrejt Kosovën.
Prandaj, pse po bëhet gjithë kjo luftë fjalësh ndërmjet Tiranës dhe Beogradit?
Pse nuk po dëgjojmë një qëndrim të qartë:
“Çdo tentativë për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit që dëmton Kosovën, do të kundërshtohet nga ne dhe do të trajtohet si çështje serioze ndërkombëtare”?
Kjo do të ishte deklaratë.
Pjesa tjetër është novelë turke apo spanjolle, është dramë, është spektakël, teatër…

A po luhet ping-pongu i rejtingjeve?

Këtu fillon edhe dyshimi politik. Vuçiqi ndodhet përballë një krize të gjatë të brendshme politike dhe protestave studentore që kanë tronditur sistemin politik serb.
Në Tiranë, ndërkohë, edhe Edi Rama përballet me pakënaqësi dhe protesta.
Dhe në të dyja vendet ekziston një politikë që e di shumë mirë se nacionalizmi funksionon si karburant elektoral në kohë krize të brendshme.
Atëherë pse të mos krijohet një armik i jashtëm? Pse të mos krijohet një përplasje? Pse të mos hidhet një deklaratë bombastike? Pse të mos përgjigjet pala tjetër me një deklaratë edhe më bombastike?
Dhe ja ku kemi lojën:
Vuçiqi flet për Kosovën, Rama i përgjigjet Vuçiqit, Beogradi i përgjigjet Ramës, Tirana i përgjigjet Beogradit.
Dhe gjatë gjithë kësaj kohe… Kosova mbetet jashtë skenës. Kjo është pjesa më e rrezikshme. Sepse problemi është Ujmani, jo Rama! Le të mos mashtrohemi.
Nëse Vuçiqi vetëm po luan me një ide për të fituar pikë politike në Serbi, atëherë përgjigjja më e mirë nuk është të luhet e njëjta lojë nga Tirana.
Nëse, përkundrazi, ekziston ndonjë projekt real, atëherë duhet reagim serioz diplomatik, juridik dhe ndërkombëtar.
Në të dyja rastet, Kosova duhet të jetë në qendër të reagimit.
Jo Edi Rama. Jo Aleksandar Vuçiq. Jo rejtingjet e tyre.
Por, Kosova!

Ujmani nuk është “Tokë e askujt”

Dhe këtu kthehemi te një prej formulimeve më të diskutueshme të Edi Ramës.
Kur veriun e Kosovës dhe hapësirën e Ujmanit e quante “Tokë e askujt”, nuk ishte thjesht një lapsus politik. Në politikë, fjalët kanë peshë. Sidomos kur flitet për territor, kufij dhe sovranitet.
Sot, kur Ujmani bëhet sërish pjesë e retorikës së Beogradit, kjo frazë tingëllon edhe më keq.
Duhet ta kuptoj Edi Rama dhe ‘ramistët “ e tij: Nuk ka “tokë të askujt” në një shtet sovran.
Ka territor të Kosovës. Ka qytetarë të Kosovës. Ka institucione të Kosovës. Ka pasuri dhe burime strategjike të Kosovës.
Dhe Ujmani është pjesë e këtij realiteti.

Mos e mbroni Kosovën duke e përdorur Kosovën

Kjo është ajo që Tirana duhet ta kuptojë. Kosova nuk ka nevojë për një tjetër duel televiziv Rama–Vuçiq. Kosova nuk ka nevojë që kryeministri i Shqipërisë të bëhet protagonisti kryesor sa herë që Beogradi nxjerr një deklaratë.
Kosova ka nevojë për një Shqipëri që të jetë e fortë, serioze dhe e koordinuar me Prishtinën dhe aleatët ndërkombëtarë.
Nëse Serbia po kërcënon me Ibrin, përgjigjja nuk duhet të jetë: “Kosovën e keni humbur.”
Përgjigjja duhet të jetë:
“Lumenjtë nuk janë armë politike. Ujërat nuk janë instrument shantazhi. Çdo përpjekje për të cenuar sigurinë ujore të Kosovës do të kundërshtohet me të gjitha mjetet politike, juridike dhe ndërkombëtare.”
Kjo është gjuhë shtetërore.
Nëse deklarata e Vuçiqit është vetëm një tjetër manovër për konsum të brendshëm, atëherë le të ekspozohet si e tillë. Nëse është më shumë se kaq, atëherë le të kërkohet përgjegjësi ndërkombëtare.
Por në asnjërin rast nuk duhet që Tirana të bjerë në kurthin e tij.
Sepse mund të ndodhë paradoksi më absurd:
Vuçiqi flet për Ibrin për të fituar pikë në Serbi. Rama i përgjigjet për të fituar pikë në Shqipëri. Të dy fitojnë disa tituj në media. Ndërsa Kosova mbetet ajo për të cilën gjoja po debatojnë.
Kjo nuk është politikë e jashtme.
Kjo është ping-pong politik mbi kurrizin e Kosovës.
Dhe në këtë lojë, pyetja e vërtetë nuk është: “Kush fitoi debatin – Rama apo Vuçiqi?”
Pyetja është: Kush po kujdeset për Kosovën?
Lumi Ibër mund të jetë lumë. Ujmani mund të jetë liqen.
Por për Kosovën, ato janë ujë, energji, ekonomi, siguri dhe sovranitet.
Prandaj, me Ibrin nuk luhet.
As në Beograd. As në Tiranë. As në Prishtinë.
Dhe mbi të gjitha: Kosova nuk është top ping-pongu i askujt.