Ibrahimi nga Haraçina: Me VLEN-in do ta kthejmë komunën në zemër të zhvillimit

Koalicioni VLEN ka bërë hapjen e shtabit zgjedhir në Haraçinë. Kryetari i Alternativës dhe njëri nga liderët e koalicionit VLEN, ka shprehur përkrahjen për kandidatin e këtij koalicioni për kryetar komune, Daut Beqirin.

“Sonte, në Haraçinën legjendare, hapëm shtabin zgjedhor për t’i dhënë përkrahje maksimale Daut Beqirit, kandidatit të VLEN për kryetar komune të Haraçinës,” ka deklaruar Ibrahimi.

Ai tha se VLEN është i vendosur që ta kthejë këtë komunë në qendër të zhvillimit.
“Bashkë me udhëheqësit e VLEN, jemi të vendosur që Haraçinën ta kthejmë aty ku e ka vendin, në zemër të zhvillimit dhe progresit,” theksoi ai.

Duke kujtuar historinë e sakrificës së Haraçinës, Ibrahimi shtoi se tash është momenti për të ndërtuar të ardhmen.
“Ky vend, kur është dashur, ka ditur të flijohet e të sakrifikohet. Tani është koha që të ndërtojmë, të zhvillojmë dhe të krijojmë një të ardhme të ndritur për brezat që vijnë,” përfundoi ai.