Sekretari për Media i Alternativës Zeqirija Ibrahimi, në një status në facebook, ka shpjeguar se çfarë nënkupton shumica e re në Qytetin e Shkupit. Sipas tij, kjo nënkupton se koalicioni AAA-ASH, do të jetë pjesë e shumicës dhe gjithë pushteti i Shkupit do të jetë në duart e këtij koalicioni, ndërsa BDI dhe LSDM do të jenë në opozitë.
“Duke e parë se ka ende mjegull se çka nënkupton fjalia “në Shkup është krijuar shumica e re”, më duhet të shpjegoj se kjo i bie se koalicioni AlternAtivA & Aleanca për Shqiptarët do të jetë pjesë e shumicës së Këshillit të Qytetit dhe gjithë pushteti i Shkupit do të jetë në duart e këtij koalicioni, ndërsa LSDM dhe BDI do të jenë në opozitë.
Kjo do të thotë se edhe ndërmarrjet si “Ujësjellësi e kanalizimi”, Higjiena Komunale “Komunalec”, “Parqe e Gjelbërime”, “Parkingje”, JSP e disa ndërmarrje të tjera e qendra kulturore do të jenë të drejtuara nga kuadrot tona. Nga java e ardhshme drejtorët aktualë do të zëvendësohen me kuadro të pakorruptuar e profesionistë.
Sidoqoftë, u bëjmë thirrje punëtorëve të Komunalecit, Parqeve, Parkingjeve, Ujësjellësit, JPS-së etj. që të jenë të qetë dhe mos të mërziten. Me ardhjen tonë në krye të këtyre ndërmarrjeve edhe jeta e tyre do të jetë më e lehtë. Askush nuk guxon t’i prekë e t’i dëmtojë dhe askush nuk guxon t’i detyrojë e shtrëngojë të jenë tifozë të partive politike. Ata do të jenë të lirë që të vendosin vetë se kë duan ta mbështesin.
Tregojuni edhe atyre drejtorëve e zëvendësdrejtorëve të ndërmarrjeve të Shkupit, që tash ju bëjnë presion, se nga e hëna përcjelljen do ta kenë në mënyrë dinjitoze.
Po vijnë ditë të mira edhe në Shkupin tonë. BDI në opozitë”, ka shkruar Ibrahimi.