Ibrahimi: Haraçina të mos përdoret për politika ditore

I pyetur për praninë e shtuar të policisë në rajonin e Haraçinës dhe për atë se çfarë po kërkohet në këtë komunë, i pari i Policisë, Oliver Spasovski tha se bastisjet e fundit në këtë vendbanim po bëhen pasi po kërkohen persona të arratisur nga drejtësia. Spasovski tha se këto aktivitete janë të planifikuara.

“Këto janë urdhra për arrest sepse janë në arrati, këto persona që janë…në bazë të këtyre urdhrave janë realizuar bastisje dhe është siguruar njëri prej personave që po kërkoheshin, në objektin tjetër të personit tjetër u gjet armë pa leje, kështu që këto janë aktivitete që janë planifikuar dhe në vazhdimësi realizohen.”- deklaroi Oliver Spasovski – Ministër i Punëve të Brendshme.
E kryetari i komunës së Haraçinës Ridvan Ibrahimi apeloi që shteti të gjej mënyra më të mirë ë të zgjidhen problem dhe mos ta përdorin Haraçinën për politika ditore.
“Bastisje vazhdimisht ka edhe në të kaluarën ka pasur, bile bile edhe në përmasa më të mëdha. Unë uroj të gjitha ata politikan, sidomos të palës maqedonase të kenë qëllime të mira për komunën e Haraçinës, jo vetëm me pompozitet të paraqitet pse është komunë shqiptare dhe aty qenka problemi. Edhe nëse ekziston problemi të bëhen format e mira të mundshme për ta zgjidhur e jo për të bërë politikë ditore. Unë nuk besoj që ndonjë qytetarë është kundër kontrolleve të rregullta.”- deklaroi Ridvan Ibrahimi – kryetar i komunës së Haraçinës.
Ndryshe Haraçina ditëve të fundit ishte në “shënjestrën” e policisë. Rasti i fundit ishte të shtunën rreth orës 22:00 kur forca të shumta policore vërshuan këtë komunë. U kontrolluan 54 persona dhe 11 automjete, ndërsa është arrestuar një 40-vjeçar tek i cili është gjetur një pistoletë.