Ish-deputeti i PDSH-së Orhan Ibrahimi, tha se Aleanca për Shqiptarët, nuk ndjek rrugën politike dhe idealet e Arbën Xhaferit, siç pretendon ish-kolegu i tij, Ziadin Sela.
Në një intervistë për gazetën LAJM, Ibrahimi, tha se ASH-ja nuk ka guxim ta thotë se të gjitha padrejtësisë ndaj shqiptarëve në RMV, burojnë nga Kushtetuta dhe se e njejta duhet të ndryshohet, siç këmbëngulte politikani tashmë i ndjerë Arbën Xhaferi.
“Po, s’mund të jetë rruga e Arbën Xhaferit, në asnjë variant. Rruga e Arbën Xhaferit është ajo që e thashë, kur jemi instaluar ne në skenën politike në vitet e ’90, fjalitë e para, tezat e para politike i kemi pas, gjenerator krize është Kushtetuta. E kjo kushtetutë që është gati identitike, e modifikuar në vitin 2001 nuk mund të na e garantojë neve barazinë. Ata janë thirrur në figurën dhe personalitetin e Arbën Xhaferit, këndej e kapin një segment, një fije se pse nuk kanë guxim të dalin e tu thonë partive maqedonase se duhet të ndërrohet Kushtetuta, por më lehtë e kemi, duke mos pasur forcë politike, ta heqim ne 20%-shin sepse po na pengon. Arben Xhaferi ka qenë shumë e rëndësishme e kombit. Figurë që ne kemi pasur fat të bashkëpunojmë dhe të mësojmë shumëçka. Liderët që janë sot, dallojnë shumë nga ia. Ai i ka qendruar pas të gjitha tyre që i ka thënë”, tha Ibrahimi për gazetën LAJM.