Resmije Bytyqi, Murat Ademi, Fadil Fetiu e Reshat Ademi, janë këta katër persona të cilët ia morën jetën 44 vjeçarit nga fshati Peçan i komunës së Suharekës në Kosovë. Për vrasjen mizore, para më shumë se tri vitesh, ku vranë e djegën Abedin Bytyqin, për tre nga këta është shqiptuar dënimi, ndërkaq, Reshat Ademi është lënë i lirë. Baba i Abedinit po kërkon më shumë drejtësi për djalin. Për këtë ai ka bërë ankesë edhe në Gjykatë të Apelit.
E ‘tradhtojnë” lotët sa herë që flet për djalin e tij, Abedinin. Për djalin që një herë u godit me mjete të forta, e në mënyrë mizore dhe barbare iu vu zjarri e më pas trupi i 44 vjeçarit aso kohe u hedhë në një gropë dhe u mbulua me dhe. Të gjitha këto i kishte kërkuar vet gruaja e tij, Resmija, e cila është dënuar me 20 vjet burg. Ajo ka shtyrë djemtë e axhës së saj që ta vrasin dhe djegin burrin e saj.
Avdi Bytyqi, baba i Abedinit për KosovaPress, rrëfen me mllef ngjarjen që ndodhi në vitin 2016. Për ish-nusen e tij po kërkon burgim të përjetshëm. 75 vjeçari i cili mezi tregon për atë që ka ndodhur, nuk po mund të pajtohet me vendimin për dënimin e tyre, e që sipas tij, është i ultë në krahasim me veprën që kanë bërë. Vendim ky që liroi nga dënimi një nga personat që morri pjesë në djegien e djalit të tij.
“Unë nuk jam i kënaqur me këtë gjykatë aspak, hiç, se me ma marrë djalin me ma qu në kurth, pa ditë djali sen, edhe me ma qu në kurth te krimineli, me lonë me 12 vjet burg, nuk di çka me thënë. Atë shoqen me lonë me 20 vjet, ajo hala më kryesore se këta, ajo i ka bërë këto punë me djemtë e axhës të vet. Edhe se kemi kuptuar kurrë edhe djalin nuk e kam pasur asi. E me lënë me 20 vjet, unë i kam dëgjuar fjalët që dy përjetësisht do i dënojnë, e dy pak më butë, ata hiç. Ai kryesori që i ka pranuar tonat, atë e kanë lënë me 25 vjet burg, e asgjë hiç. Këtë tjetrin që i ka bërë të gjitha gati, të gjitha atje me mu djeg djali e kanë liruar prej akuzave. A ka diku në botë që lirohet njeri prej akuzave me djeg njeriun. Me djeg pa faj, se me faj tonat bëhen”, rrëfen ai.
Për vrasjen e Abedinit, Gjykata Themelore e Prizrenit ka shpallur fajtor gruan e tij, Resmije Bytyqin, Murat Ademin dhe Fadil Fetiun.
Resmija, bashkëshortja e Abedinit është dënuar me 20 vjet burg, Murat Ademi si dorasi me 25 vjet burg, ndërsa Fadil Fetiu është dënuar me 12 vjet burgim. Derisa është lënë i lirë Reshat Ademi. Vëllezërit Murat e Reshat Ademi, akuzohen se më 6 tetor të vitit 2016, në fshatin Peqan të Suharekës, në bashkëkryerje, mizorisht kanë privuar nga jeta Abedin Bytyqin.
Ajo që ka përjetuar e ka lodhur shumë plakun 75 vjeçar, Avdi Bytyqi. Për drejtësinë e djalit të tij po gjen forcë, e po thotë se nuk do të ndalet asnjëherë së kërkuari derisa të vdes. Së fundmi ka bërë edhe ankesë në Gjykatën e Apelit në lidhje me vendimin.
“Po kërkoj nga shteti drejtësi, me qit në skejt, me i dënu përjetë, sepse ashtu e kanë bërë veprën. Se nëse vetëm e kishin mbyt e me lon aty, ish deshtë me thënë bëni çfarë të doni. Veç këta me qu me djeg edhe me e lon me këtë dënim, askush nuk është duke u pajtuar, jo vetëm unë, as prej familjes, kojshive, fshatarëve, as prej askujt nuk është duke u pajtuar me këtë dënim. I lutna Gjykatës të Apelit që ta kontrollon mirë akuzat”, deklaron ai.
Disa ia mbytën djalin, e shumë të tjerë po e ‘mbysin’ atë çdo ditë me ‘padrejtësinë’. Bytyqi po thotë se që nga ajo ditë kur morri vesh se djali i është djegur, po jeton me ankth.
“Gjithë natën nuk mundem me fjet prej s’lodhti edhe duke e shikuar televizorin, mos po thonë naj sen… prej s’lodhti edhe bukë nuk mundem me hëngër, edhe ndonjë ditë e ndoshta nuk jetoj më. Çka kam me bo, pa kurgjo por nëse diçka, hiç nuk mu kish dhimt, nuk dua fëmija jem me bo sherr”, thotë ai mes lotëve.
Nga kjo ngjarje thotë se ka humbur edhe dhjetë anëtarë tjerë të familjes, ku nusja tjetër e djalit të tij, ishte motra e saj, dhe ka marrë fëmijët e ka dalur nga shtëpia.
Nga të gjitha veprimet prokuroria i akuzon Murat e Reshat Ademin për veprën penale të vrasjes së rëndë, Fadil Fetiun për moslajmërim të veprës penale, ndërsa Resmije Bytyqin shtytje në vrasje.
Murat Ademi, sipas aktakuzës, kishte shfrytëzuar situatën kur i ndjeri po kryente disa punime në elektrikë në shtëpinë e Fadil Fetiut. Aty Murati nën kërcënimin e armës e kishte lidhur viktimën. Pasi e kishte lidhur, ai e kishte hipur viktimën në veturë dhe e kishte dërguar në një vend ku po priste Reshat Ademi. Në këtë vend, siç përshkruhet në aktakuzë, dy të akuzuarit e kanë goditur me mjete të forta duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore në trupin e të ndjerit. Sipas përshkrimit të prokurorisë, të pandehurit nuk ishin mjaftuar me rrahjen kur në mënyrë mizore viktimës ia kishin vënë zjarrin duke i shkaktuar dhimbje deri në shkaktimin e vdekjes. Të akuzuarit më pas e kishin vendosur viktimën në një gropë dhe e kishin mbuluar me dhe.