I shuhet “ëndrra” Serbisë, analistët tregojnë skenarin që e pret

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq të martën në Bruksel, kështu duke rifilluar dialogu mes dy shteteve.
Kurti që nga fitorja e tij në zgjedhjet e 14 shkurtit, ka theksuar që nuk do të bëjë asnjë lëshim që do të prekte Kosovën, e të njëjtat qëndrime i mban edhe sot, shkruan “Bota sot”.

Pavarësisht kësaj, provokimet e Serbisë po vazhdojnë të jenë prezent, për të mos mjaftuar edhe deklaratat e krerëve të Serbisë po bëhen temë diskutimi.

Mirëpo, karshi këtyre deklaratave dhe provokimeve të tyre, i qetë po mbetet kryeministri Kurti.

Ai së fundmi ka deklaruar edhe njëherë që nuk do t’i nënshtrohet Serbisë, duke kërkuar gjithashtu edhe të kërkojë falje ndaj Kosovës.

Këtë deklaratë ai e dha ditë më parë në përkujtim të masakrës në Poklek të Drenasit, duke u shprehur se liria kishte ardhur pas shumë viteve të rezistencës së pashembullt popullore kundër politikave të Serbisë.

Kurti ndër të tjera theksoi se Serbia duhet të paditet për gjenocidit që shkaktuar.

“Serbia ende sot vazhdon të drejtohet nga persona që kanë qene ministra dhe zyrtarë të lartë në kohën kur këto masakra janë urdhëruar. Sigurisht, ata sot nuk mund të vijnë e të na pushtojnë e të vrasin civilët dhe fëmijët tanë. Mirëpo, ëndrrat e tyre jo vetëm që nuk i mohojnë, por vazhdojnë t’i proklamojnë publikisht nën mitin e ‘Kosovës si djep i Serbisë’. Por edhe me investime të vazhdueshme e të shfrenuara për armatim modern duke blerë armë prej Rusisë, Bjellorusisë e Kinës dhe vendeve të tjera”, është deklaruar ndër të tjera Kurti.

Njohësit e çështjeve politike shpresojnë që të njëjtin qëndrim Kurti ta mbajë edhe kur përballë tij do të jetë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Në lidhje me këtë temë analisti politik, Faton Mehmeti në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh se Kurti po vazhdon të jetë i vendosur sa i përket Serbisë, duke marrë parasysh këtu edhe padinë ndaj saj.

Sipas tij, edhe deklarata në Poklek tregoi edhe njëherë se Serbia do të jetë e detyruar të kërkojë falje për dëmet e saj.

“Duke se kryeministri Kurti është i vendosur për t’i shkuar deri në fund padisë ndaj Serbisë për gjenocid dhe për dëme të luftës, një gjë që është dashur të bëhet qysh moti. Deklarata e tij në Poklek dëshmon dhe njëherë seriozitetin e qeverisë karshi krimeve serbe, të cilat duhet dënohen jo vetëm me fjalë por edhe me dëmshpërblim, si dhe të detyrohet Serbia të kërkoj falje. Derisa këto nuk ndodhin Kosova nuk duhet dhe s’ka pse të hyjë në bisedime me një regjim, që akoma është i kohës së Millosheviqit”, tha analisti.

Mehmeti ndër të tjera thotë se pjesë e regjimit të Millosheviçit ka qenë edhe Vuçiq dhe për këtë arsye Kurti duhet t’ia bëjë me dije këtë gjë duke mos lëshuar asgjë që ta dëmtojë Kosovën.

“Vuçiqi është pjesë e regjimit të Millosheviçit, është një kriminel të cilit duhet t’i tregohet se çfarë krime ka bërë regjimi, pjesë e të cilit ishte edhe ai vet. Albin Kurti nuk duhet të lëshojë pe assesi në raport me Serbinë, nuk lejon gjaku i të vrarëve dhe ta masakruarve një gjë të tillë. Kosova dhe qeveria e saj duhet të jenë unike në raport me Serbinë, ndryshe s’ka bisedime”, u shpreh Mehmeti për “Bota sot”.

Ndërsa, analisti tjetër politik, Adem Bytyçi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë se deklarata që ka bërë Kurti është e saktë pasi që Serbia vazhdon të armatoset dhe të ëndërrojë të rikthehet përsëri në vendin tonë.
Sipas tij mendimi i Serbisë për të u kthyer në Kosovë mbetët vetëm një ëndërr pasi forcat ndërkombëtare janë ato të cilat e mbështesin vendin.

“Prononcimi Kurtit është i saktë por Serbia, ëndërron në mënyrë konstante që të rikthehet përsëri në Kosovë. Ky është shkaku që Serbia nuk kërkon falje dhe armatoset për çdo ditë. Përderisa në Kosovë janë forcat ndërkombëtare, ëndrrat e Serbisë për ta kërcënuar sovranitetin dhe tërësinë tokësore të Kosovës, mbesin vetëm në suaza të propagandës, por qëllimi saj është të bëjë presion ndaj Kryeministrit Kurti, për t’i bërë koncesione”, theksoi ai.

Ndër të tjera analisti thotë se Kurti më parë do të jepte dorëheqje sesa të pranonte diçka në dëm të Kosoves.
“Kurti kurrë nuk do të pranojë zgjidhje në dëm të Kosovës, më parë do të dorëhiqej. Nëse bënë presion faktori ndërkombëtare për t’i bërë Serbisë ndonjë koncesion në dëm të Kosovës, se sa do pranonte koncesione Serbisë, edhe ashtu në Marrëveshjet e mëparshme para se të ishte në pushtet qeveria Kurti Serbisë i janë bërë shumë koncesione”, përfundoi Bytyçi për “Bota sot”.