“I lindur në Shkup, me adresë në Mal të Zi”, personat pa shtetësi rrëfejnë peripecitë e tyre para deputetëve

Personat pa shtetësi u mblodhën para Kuvendit për t’i treguar peripecitë e tyre disa vjeçare si pasojë e mos posedimit të statusit shtetas. Hyrja në Kuvend për t’i takuar deputetët e opozitës nuk iu lejua, pasi të njëjti nuk kishin dokumente identifikimi. Afet Kaloshi i lindur dhe banues në Shkup thotë se në dokumentet e tij vendlindja i shkruan Serbia dhe Mali i Zi.

Jam i lindur këtu, ndërsa kur ma japin certifikatën e lindjes ma lëshojnë me Serbia dhe Mali i Zi. I lindur jam në Shkup, Komuna Çairit. Jemi gjashtë fëmijë, vëllai i madh ka shtetësi, motrat kanë, nëna e ardhur nga Novi Pazari ka shtetësi, unë i lindur këtu nuk kam shtetësi”, tha Afet Kaloshi, qytetar.

Habibe Fazliu është nga Kosova. Prej 30 vitesh e martuar në Shkup, por nuk posedon asnjë dokument të vetëm të Maqedonisë së Veriut.

Jam e martuar për 30 vite këtu, nuk kam shteti. Më kanë refuzuar 4 herë për shkak të gjuhës. Kontrollet mjekësore më kushtojmë 1000-2000 denarë. Tani udhëtoj me letërnjoftim të Kosovës sepse këtu nuk kam asnjë dokument”, pohoi Habibe Fazliu, qytetare.

I tillë është edhe fati i Ramadan Azizit nga Kumanova. E gjitha familja e tij posedon shtetësi, përpos tij.

Të gjitha i marrim, dokumentet, certifikatë të lindjes, vërtetime për shkollim, vërtetim që nuk jemi të dënuar dhe as nën hetime, kurrë nuk kemi pasur problem me shtetin, i paguajmë taksat, jetojmë në shtëpitë tona por sot nuk e kemi asnjë të drejtë. As letërnjoftim, as pasaportë”, tha Ramadan Azizi, qytetar.

Shaban Limani i dënuar pa faj për rastin “Sopoti”, i shpallur i pafajshëm, i dëmshpërblyer për vuajtjen në burg, por akoma mbetet i rrezikshëm për shtetin.

Akoma jam i rrezikshëm për shtetin. Shtetësia më refuzohet edhe për nënën edhe për gruan. Arsyet dihen, jam i rrezikshëm për shtetin. Kom probleme edhe nëpër kufij, jam në listën e zezë edhe pse i kam kryer të gjitha procedurat ligjore”, theksoi Shaban Limani, qytetar.

Por si do të vepron opozita tutje derisa nuk gjendet zgjidhje për këta qytetarë?

Do të gjejmë, do të gjejmë. Ne nuk dorëzohemi. Për t’u gjete gjuha e përbashkët është kushti ynë dhe në nuk dorëzohemi pasi që këtë obligim e kemi marr dhe jemi të vetëdijshëm se neve si koalicion do të kemi kosto politike, por na rrit koston njerëzore. Prandaj do gjendet gjuhë e përbashkët. Nuk guxojmë më të kemi qytetarë pa shtetësi apo qytetarë që trajtohen në mënyrë jo njerëzore”, deklaroi Skender Rexhepi, koordinator i ASH-AAA-së.

Javën që vjen liderët e opozitës shqiptare, Ziadin Sela dhe Afrim Gashi bashkë koordinatorin e grupit parlamentar Skender Rexhei, do të zhvillojnë takim me kryeministrin Zoran Zaev, ministrin e Brendshëm, Oliver Spasovski dhe koordinatorin Jovan Mitrevski për të gjetur gjuhën e përbashkët mbi propozim-Ligjin për shtetësi. Për shkak të mos miratimit të këtij ligji, opozita shqiptare ka bllokuar dhjetëra ligje me mijëra amendamente në Kuvend./Alsat