I bllokohet xhiro- llogaria komunës së Gostivarit

Komuna e Gostivarit nga sot ka xhiro-llogari të bllokuar, edhe pse me vendim qeverie përmbaruesit nuk kanë të drejtë të kryejnë procese përmbaruese. Që situata të jetë edhe më alarmante, kjo ndodh kur e gjithë bota është në luftë me pandeminë nga Kovid 19, tha kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari.

“Urdhri për ta lënë në këtë periudhë Gostivarin pa para, ka ardhur përmes direktivave të një subjekti politik në Gostivar, të cilët gjatë viteve derisa udhëhiqnin me pushtetin lokal, Gostivarin e ngulfatën me borxhe. Përgjatë qeverisjes së saj, partia në fjalë, u ka paguar zjarrfikësve në Gostivar paga 20 përqind më të ulta sesa parashe ligji”, tha shtoi Taravari.

Ai bëri të ditur se edhe përskaj marrëveshjes me zjarrfikësit që borxhi të pranohet dhe t’u paguhet në këste, partia u jep urdhër militantëve të saj të punësuar në Njësinë Territoriale Kundër Zjarreve në Gostivar, që procedura të shkojë në përmbarim.

“Pavarësisht kësaj, unë u them qytetarëve të jenë komod, sepse do ta tejkalojmë edhe këtë situatë edhe pse ndodh në një periudhë shumë të rëndë që një institucioni t’i bllokohet xhiro-llogaria, dhe kjo është skandaloze”, deklaroi kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari, dhe shtoi se borxhi i krijuar ndaj zjarrfikësve është bërë gjatë viteve 2015, 2016 dhe 2017.

Shuma që duhet t’u paguhet zjarrfikësve është rreth 100 mijë euro dhe do të vështirë që këto para të grumbullohen brenda disa ditësh kur qytetarët nuk paguajnë tatime për shkak të gjendjes që mbretëron në vend, tha kryetari i Komunës.

Për situatën e krijuar kryetari Taravari e ka njoftuar edhe kryeministrin teknik, Oliver Spasovski, i cili ka thënë se nuk ka njohuri për këtë çështje.