Hyrja në Prishtinë do të paguhet 10 euro

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli, ka dhënë detaje lidhur me implementimin e projektit për parkingjet në periferi të kësaj komune.

Pacolli deklaroi se ky projekt do duhej të ishte zgjidhja për mbingarkesën dhe rrezikun që iu shkaktohej qytetarëve të Prishtinës, nga veturat dhe ndotja e ajrit nga to.

“Ditët e fundit është bërë një lajm sensacional, që Prishtina është kryeqendër dhe duhet të ketë specifikat e veta për brendësinë e saj. Janarin dhe shkurtin e kemi pikën më kruciale ku ballafaqohemi si problem me ndotjen e ambientit, ajrit në këtë rast. Një gjë e tillë do të parandalonte, ndotjen e ambientit nga makinat. Njëra prej masave, është ndërtimi i parkingjeve në hyrje të qytetit. Nga secila hyrje në qytet do të ketë vend-parkingje dhe do të ketë trafik urban”, tha ai.

Selimi tha se nëse qytetari patjetër vendos të hyjë me veturë, në qytet është vendosur një tarifë të cilën duhet ta paguajë.

“Është taksa e cila paguhet në brendinë e qytetit. Secili që vjen nga Peja, Gjakova, Gjilani, Kaçaniku – është e drejtë të vjen por duhet ta paguajë taksën e cila quhet si ‘Taksë e Gjelbërt’. Kjo e bënë parandalimin dhe shkarkimin e qendrës. Nëse do mund të vjen, e paguan 10 euro dhe ka qasje në secilën pikë të qytetit”.

Ai konfirmoi madje se tarifa ende nuk është caktuar por pritet të jetë minimumi 10 euro.

“Sigurisht, minimum do të jetë 10 euro. Akoma nuk kemi vendosur por parashikimet janë. Nëse shkon në Milano sot, ti duhet të paguash 25 euro për tu future në brendi me makinën tënde, përndryshe e mer trafikun urban”, tha ai në Klan Kosova.
Më tej nënkryetari i Komunës së Prishtinës, ka bërë të ditur se ata që paguajnë parkingun në hyrje të qytetit, trafikun urban për të kaluar në qendër apo në pikën në të cilën atyre iu duhet, e kanë pa pagesë.