‘Hynë 60 mijë emigrantë brenda 24 orëve’ SHBA bën fajtore Spanjën

 

Shtetet e Bashkuara akuzuan sot Spanjën se po bën përpjekje të qëllimshme për të lehtësuar migracionin e paligjshëm, pas fluksit masiv prej 60 000 emigrantësh në enklavën spanjolle të Ceutës, e vendosur në bregdetin verior të Marokut.

“Ky incident i papranueshëm është një rezultat i drejtpërdrejtë i përpjekjeve të qëllimshme të qeverisë spanjolle për të lejuar dhe lehtësuar imigracionin masiv të paligjshëm në Evropë”, tha Departamenti i Shtetit i SHBA-së në X.

Rreth 65 000 emigrantë kanë hyrë në territorin spanjoll, Ceuta nga Maroku gjatë 24 orëve të fundit, përmes rrugëve tokësore dhe detare, sipas vlerësimeve të autoriteteve spanjolle.Rreth 37 500 prej tyre janë rikthyer.

Ndërkohë presidenti amerikan Donald Trump përdori të premten valën masive të emigrantëve që hynë në enklavën spanjolle të Ceutës, në Afrikën e Veriut, për të paralajmëruar amerikanët se Shtetet e Bashkuara mund të përballen me një situatë të ngjashme nëse demokratët rikthehen në pushtet. Ndërkohë, kriza ka nxitur edhe tensione të reja politike në Europë.

“Është e tmerrshme. Mbajeni mend atë pamje. Kjo do të jemi ne pas tre vitesh nëse fiton pala e gabuar,” deklaroi Trump në një intervistë për Fox News. “Nëse demokratët vijnë në pushtet, nuk do të bëni një jetë shumë të mirë.”

Trump, i cili e ka bërë emigracionin një nga shtyllat kryesore të presidencës së tij, e përdori situatën në Ceuta për të forcuar argumentet e tij në favor të kontrolleve më të rrepta kufitare.

Shtëpia e Bardhë fajësoi atë që e quajti “politika globaliste të së majtës ekstreme” për zhvillimet në Ceuta, ku deri tani kanë humbur jetën të paktën 43 persona. Shumë prej viktimave vdiqën gjatë përpjekjeve për të notuar nga Maroku drejt territorit spanjoll.

“Ne po shqyrtojmë masa për të mbrojtur amerikanët brenda dhe jashtë vendit nga ky kërcënim dhe jemi të gatshëm të ndihmojmë aleatët e tjerë europianë që po shqyrtojnë mundësi të ngjashme”

Ndërkohë, Bashkimi Europian ka theksuar se kriza mbetet e kufizuar në Ceuta dhe se deri më tani nuk ka shenja që fluksi i emigrantëve të jetë përhapur drejt territorit kontinental të Europës.

Ceuta, me rreth 83 600 banorë, përballet me një fluks emigrantësh që përbën më shumë se gjysmën e popullsisë së saj.

Sipas autoriteteve, rreth 7 000 nga emigrantët janë të mitur, ndërsa shumica e të ardhurve janë burra të rinj, por mes tyre ka edhe gra, fëmijë dhe foshnja.

© SYRI.net