Hyn në fuqi rregullorja e re për cilësinë e karburanteve të lëngshme në Maqedoninë e Veriut

Pas gati 19 vitesh zbatim të rregullores së mëparshme, në Maqedoninë e Veriut ka hyrë në fuqi Rregullorja e re për cilësinë e karburanteve të lëngshme, njoftoi Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Lëndëve Minerale, përcjell TV21.

Sipas Ministrisë, rregullorja e re vendos standarde më të sakta për cilësinë e karburanteve që mund të vendosen në treg, përcakton mënyrën e kontrollit dhe monitorimit të cilësisë, si dhe obligimet e të gjithë pjesëmarrësve në tregun e naftës bruto, derivateve të naftës dhe karburanteve për transport.

Nga Ministria bëjnë të ditur se qëllimi i rregullave të reja është krijimi i një tregu më të rregulluar, me kushte të barabarta për të gjitha kompanitë dhe me më shumë mbrojtje për konsumatorët. Sipas tyre, zbatimi i standardeve më të larta do të ulë mundësinë për keqpërdorime dhe konkurrencë jo të drejtë mes operatorëve.

Ministria vlerëson se standardet e reja do të kontribuojnë edhe në uljen e emetimeve të dëmshme në mjedis dhe në zhvillimin e një sektori energjetik më të qëndrueshëm.

Ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Lëndëve Minerale, Sanja Bozhinovska, deklaroi se me rregulloren e re zëvendësohet një kuadër i vjetërsuar me rregulla moderne që synojnë të rrisin sigurinë e qytetarëve dhe transparencën në treg.

“Pas gati 19 vitesh, ne po zëvendësojmë rregulloren e vjetërsuar me një të re që sjell rregulla dhe standarde të qarta. Qëllimi ynë është që qytetarët të kenë më shumë siguri për cilësinë e karburanteve që përdorin, ndërsa kompanitë që veprojnë ligjërisht të mbrohen nga konkurrenca jo e drejtë”, tha Bozhinovska.

Me hyrjen në fuqi të rregullores së re, Ministria thotë se vazhdon zbatimin e Ligjit të ri për Energjetikë dhe procesin e harmonizimit të rregullativës vendore me standarde më bashkëkohore.