Hungarezët votojnë për zgjedhjet parlamentare

Hungarezët votojnë më 3 prill për zgjedhjet parlamentare, që paraqesin sfidën më të madhe për kryeministrin Viktor Orban në 12 vjetët e sundimit të tij.

Për dallim nga zgjedhjet e mëhershme, opozita hungareze është bashkuar në një koalicion dhe synon që ta largojë nga pushteti Orbanin dhe partinë e tij Fidesz.

Sondazhet thonë se Fidesz dhe partnerët e tij kanë një epërsi të ngushtë ndaj gjashtë partive opozitare që janë bërë bashkë.

Në këto zgjedhje të drejtë vote kanë 8 milionë persona, por një pjesë e rëndësishme e elektoratit, në ditët e fundit të fushatës është deklaruar e pavendosur.

Gara e ngushtë rrit shqetësimet se Orban nuk do të respektojë mbajtjen e zgjedhjeve fer.

Në një lëvizje të paprecedent për shtetet e Bashkimit Evropian, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) ka dislokuar një mision monitorues të zgjedhjeve, pas shqetësimeve se mund të ketë manipulim të votave dhe përdorim të burimeve shtetërore që do t’i jepnin një avantazh të padrejtë partisë në pushtet.

Ndërkaq, çështjet e brendshme kanë mbetur në hije gjatë fushatës, e cila u dominua nga lufta në Ukrainë, shtet në kufi me Hungarinë.

Edhe pse Orbani në përgjithësi e ka mbështetur Ukrainën, ai ka refuzuar që të lejojë që armët e NATO-s të transferohen përmes shtetit të tij për në Ukrainë, duke thënë se Hungaria duhet të qëndrojë jashtë luftës.

Ai mesazh, sipas liderit opozitar, Peter Marki-Zay, e ka bërë votimin e 3 prillit të thjeshtë:

“Pyetja është e qartë: [Presidenti rus, Vladimir] Putin apo Evropa”.

Marki-Zay,49 vjeç, gjatë një interviste për Shërbimin Hungarez të Radios Evropa e Lirë, e quajti Orbanin “tradhtar” që sipas tij po vë hungarezët në rrezik.

“Unë vazhdoj të them se ne duhet ta ndalim Putinin, jo Brukselin. Le të jemi vetëm një herë në anën e duhur të historisë, le të jemi vetëm një herë në anën e fitores”, tha ai.