Humori i bacës Adem: “Patriotët e makaronave”

Daut Dauti

Në vitin 1992 Adem Demaçi erdhi në Londër. ‘Amnesty International’ kishte bërë punë të madhe për ta liruar Demaçin nga burgu dhe e kishte ftuar në takim. Unë, së bashku me dy tjerë, e shoqëruam bacën Adem në këtë takim.

Melanie Anderson, e cila na priti ngrohtësisht, në emër të ‘Amnesty International’, kishte vendosur që Adem Demaçin ta nderonte me drekë. Prandaj, në fund të bisedës Melanie na pyeti nëse dëshironim të drekonim në restorant grek apo italian që ishin aty afër. Ne të gjithë së bashku, përfshirë bacën Adem, pa u hamendur dhe njëzërit thamë: ITALIAN.

Rrugës, baca Adem filloi të na shikonte dhe të qeshte, qyshë ia ka pasë zanatë. Dikur na tha:

“ Aaa ç’jemi mashtru keq qëtu t’u u mundu m’u kallxu patriota se grekët e kanë ushqimin 100 hërë ma t’mirë se italianët. Hajde tash na patriotat shkojmë hamë makarona”.

Më merr malli për humorin e bacës Adem.