Hulumtimi i PIPOS: Më shumë se gjysma e të anketuarve do të largoheshin nga Kosova

Më shumë se gjysma e të anketuarve në hulumtimin e opinionit publik të realizuar nga PIPOS, duan që të largohen nga Kosova.

Në hulumtimin e PIPOS, të prezantuar nga Klan Kosova, 50.5 % e 1050 respondentëve janë përgjigjur me “po” në pyetjen “A do të emigronit nga Kosova nëse do të kishit mundësi?”.

Ndërsa, 38.6 % e të anketuarve kanë thënë “jo”, 7.9 % janë shprehur se nuk janë të sigurtë se çfarë do të bënin, derisa 3 % kanë refuzuar që të përgjigjen.

Në ndërkohë, gati gjysma e të anketuarve nga PIPOS kanë thënë se, përpos dëshirës për t’u larguar nga Kosova, kanë një plan konkret për emigrim.

Pyetjes “A keni plan konkret për emigrim ju ose një anëtar i ngushtë i familjes tuaj” i janë përgjigjur pozitivisht 44.2 % e të anketuarve.

40.3 % e respondentëve janë përgjigjur me “jo”, 8.9 % kanë thënë se nuk janë të sigurtë, derisa 6.6 % kanë refuzuar krejtësisht të përgjigjen.