Plot 71% e qytetarëve janë pro anëtarësimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian, tregon hulumtimi më i fundit i Institutit për Demokraci “Societas Civilis”, transmeton Portalb.mk.
Hulumtimi, i cili sot u prezantua në Kuvend, tregon se BE-ja vazhdon të shihet si partneri më i besueshëm i Maqedonisë, veçanërisht për shkak të politikave të pasigurta të SHBA-së.
Ndërkaq, është rritur edhe numri i qytetarëve që e shohin Maqedoninë si vend që i përket Perëndimit, sidomos pas dilemave të viteve të fundit për orientim drejt Lindjes.
Drejtori i Institutit, Marko Troshanovski, tha se bëhet fjalë për rritje të madhe të mbështetjes për BE-në, veçanërisht për shkak të ndryshimit të qëndrimeve brenda komunitetit në vend .
Troshanovski vlerëson se pritjet për ndryshimin e kushtit për ndryshime kushtetuese janë joreale dhe u bëri thirrje partive politike që të nisin menjëherë reformat.
“Nuk kemi më justifikime për zgjidhje të caktuara ligjore. Kjo është detyra jonë e vetme e brendshme. Çdo gjë tjetër është humbje kohe dhe politikë e harxhuar”, tha Troshanovski.
Por, kundërshtimi ndaj ndryshimeve kushtetuese mbetet i lartë.
“Është koha t’i shtrijmë dorën fqinjit bullgar, t’i respektojmë interesat e tyre dhe të kërkojmë zgjidhje sipas standardeve evropiane”, tha ai.
Mbështetja për BE-në është rritur për gati 10 për qind krahasuar me vitin e kaluar.
Hulumtimi i opinionit publik është realizuar në periudhën 22 tetor – 5 nëntor 2025, me një mostër prej 1.003 të anketuarish.
Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.
Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
LEXO: Mucunski: Anëtare me ndikim të BE-së iniciuan takim mes meje dhe Georgievit, por pala bullgare nuk u përgjigj pozitivisht
Ndryshe, viti 2025 ishte një nga periudhat më stagnuese për rrugën eurointegruese të Maqedonisë së Veriut. Megjithëse Bashkimi Evropian e përsëriti se dera për zgjerim mbetet e hapur, procesi i anëtarësimit të vendit mbeti i ngrirë për shkak të mosrealizimit të ndryshimeve kushtetuese dhe mosmarrëveshjeve të thella me Bullgarinë.
Diskutimi për BE-në u shndërrua nga një projekt shtetëror në një temë përplasjeje të ashpër politike, ku identiteti, gjuha dhe garancitë evropiane dominuan debatin publik.
Eksponentët qeveritarë patën vetëm fjalë ndërsa në fund të vitit, Maqedonia e Veriut nuk arriti asnjë hap konkret drejt hapjes së kapitujve negociues, duke mbetur prapa Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit.
Pavarësisht kësaj, vendi nuk e ka ndërmend të ndërmarrë asnjë hap më tutje pa garanci, BE-ja nuk ofron një gjë të tillë, ndërsa Bullgaria thotë se nuk ka kushte tjera, por pala maqedonase është skeptike.



